
Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Rreth 18 për qind kanë shënuar rritje paratë që dërgojnë për familjet e tyre mërgimtarët, tregon Banka Qendrore e Kosovës.
Të dhënat e publikuara nga BQK-ja tregojnë se nga janari deri në korrik të këtij viti në Kosovë përmes bankave e agjencive kanë mbërritur 751 milionë euro.
“Remitencat në muajin qershor 2023 ishin 123.9 milionë euro, që paraqet rritje prej 18% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022. Vlera e remitencave deri në fund të qershorit 2023 shënoi rreth 635 milionë euro, që paraqet rritje prej 13% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022. Remitencat kryesisht vijnë nga shtetet BE-së rreth 60% e gjithsej remitencave, prej të cilave kryeson Gjermania me 38.1% dhe ndiqen nga Zvicra me 17.6% dhe SHBA-ja rreth 7.5%. Sipas vlerësimeve preliminare, remitencat për muajin korrik ishin rreth 116.8 milionë euro”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Lirim Krasniqi nga organizata “Germin”, e cila merret me çështje të diasporës, ka thënë që diasporës pritet t’i bashkohet edhe një numër i konsiderueshëm kosovarësh, pas liberalizimit të vizave.
Ai numëroi faktorët që çuan në rritjen e remitencave.
“Kjo rritje shpjegohet nga dy faktorë, i pari është numri në rritje i bashkatdhetarëve tanë në diasporë, për shkak se edhe trendi i emigrimit nga Kosova ka qenë në rritje përgjatë viteve. Kjo automatikisht reflektohet në sasinë e parave që dërgohen te familjarët e tyre në Kosovë. E dyta është rritja e kapitalit financiar te diaspora. Kjo ndodh natyrshëm duke qenë se diaspora jonë çdoherë e më shumë integrohet në shtetet pritëse”, deklaroi Krasniqi.
E njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka thënë se kontributi i diasporës në ekonominë e Kosovës është edhe më i lartë, pasi përpos remitencave nga diaspora ka edhe të hyra të tjera.
Ai tha se kontributi i tyre në vend është më i lartë se buxheti i Kosovës.
“Familjarë që vijnë nga vende të ndryshme evropiane për dy apo tri javë shpenzojnë mes 5.000-18.000 euro dhe kur i shtohet numri i vizitorëve këtë vit që është rekord, e dëshmon më së miri se kontributi i diasporës është i pakontestueshëm”, ka theksuar Gërxhaliu.
Sipas të dhënave të publikuara nga BQK-ja, numri më i vogël i parave dërgohet në muajt janar dhe shkurt.
Remitencat nga diaspora vitin e kaluar kanë qenë 1.2 miliardë euro, ndërsa këtë vit kjo shifër pritet të tejkalohet.