Sot mbyllet konkursi për afatin plotësues për pranimin e studentëve në vitin e parë të studimeve themelore në 14 njësi akademike, për vitin akademik 2023/2024 në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

 

Drejtues të Universitetit të Prishtinës kanë bërë të ditur së në afatin plotësues janë shpallur 2711 vende për studentë të rinj dhe se ndër programet më të kërkuara këtë vit akademik janë: programi Mjekësi e Përgjithshme, Inxhinieri Kompjuterike dhe Softuerike dhe Juridik.

Drejtues të universitetit në një përgjigje me shkrim kanë bërë të ditur për Radio Kosovën së në afatin plotësues janë të shpallur gjithsej 2711 vende për studentë të rinj.

“Në afatin plotësues, Universiteti i Prishtinës do të regjistrojë 2711 studentë të rregullt. Aplikimi është hapur me 31 gusht dhe do të jetë i hapur deri më datë 7 shtator 2023. Universiteti i Prishtinës numëron dhjetëra programe studimore në 14 njësi akademike. Fakulteti Filozofik do të regjistrojë 352 studentë në vitin e parë të studimeve. 361 studentë të rregullt në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore. Në Fakultetin Filologjik do të regjistrohen 248 studentë të rregullt. Fakulteti Juridik do të regjistrojë 216 studentë të rregullt. Fakulteti Ekonomik do të regjistrojë 586 studentë të rregullt. Fakulteti i Ndërtimtarisë do të regjistrojë 210 studentë të rregullt. Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike do të regjistrojë 61 studentë të rregullt. Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike do të regjistrojë 276 studentë të rregullt. Fakulteti i Mjekësisë do të regjistrojë 63 studentë të rregullt. Fakulteti i Arteve do të regjistrojë 71 studentë të rregullt. Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë do të regjistrojë 198 studentë të rregullt. Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sporteve do të regjistrojë 30 studentë të rregullt. Fakulteti i Edukimit do të regjistrojë 23 studentë të rregullt dhe Fakulteti i Arkitekturës, do të regjistrojë 16 studentë të rregullt, thuhet në përgjigjen e Universitetit të Prishtinës”, për Radio Kosovën.

Në përgjigjen e universitetit bëhet e ditur se në këtë vit akademik, ndër programet më të kërkuara dhe me konkurrencë më të lartë ishin: programi Mjekësi e Përgjithshme, programi Inxhinieri Kompjuterike dhe Softuerike, programi Juridik, programi Stomatologji, programi Psikologji, programi Infermieri, programi Arkitekturë, programi Gjuhë dhe Letërsi Angleze, programi Gjuhë dhe Letërsi dhe programi Menaxhment.

Viteve të fundit ka rënie të numrit të të rinjve që kanë aplikuar për të vazhduar studimet në Universitetin Prishtinës dhe universitetet e tjera. Profesor universitar dhe njohës të çështjeve të arsimit po vlerësojnë së ndër faktorët që kanë ndikuar në rënien e numrit janë: mos punësimi pas përfundimit të studimeve, konkurrenca, migrimi dhe kërkesa e tregut të punës për profile të caktuara.

Provimet pranuese në afatin plotësues do të mbahen me datë 11 dhe 12 shtator duke filluar nga ora 9 në fakultetet përkatëse. Rezultatet pritet të publikohen me datë 12 dhe 13 shtator në orën 16:00./rtk/