
Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Interesimi i nxënësve në shkollat e mesme për drejtimet e profilizuara, është rritur ndjeshëm. Anila Krasniqi është nxënëse e klasës së 11 në drejtimin e dizajnit të modës, në shkollën e mesme të agrobiznesit në Ferizaj. Ajo beson se drejtimi i zgjedhur do t’i shërbejë për të ardhmen.
“Kam vendosur me vijë në shkollën "Zenel Hajdini", ngase më ka pëlqye profesioni që e kam zgjedhur dhe kam dëshirë që në të ardhmen me bë biznesin tim dhe të merrem me këtë profesion", tha Anila.
Këtë vit, interesimi i nxënësve për t`u regjistruar në shkolla profesionale ka qenë më i madh.
"Këtë vit shkollor ka pasur një ndryshim bukur të madh me regjistrimin e nxënësve në klasën e 10-të. Profilet nuk kanë qenë ndryshe nga vitet e kaluara mirëpo kemi një vetëdijesim të madh të popullatës në disa profile", deklaroi Isuf Çalaj, drejtor i shkollës teknike “Pjetër Bogdani” në Ferizaj.
Drejtuesit e shkollës së mesme të agrobiznesit thonë se çdoherë mundohen të ofrojnë drejtime që i përshtaten tregut të punës dhe se interesimi për regjistrim ka qenë i madh.
"Qëllimi kryesor është, që profilet të jenë në kërkesë me tregun e punës. Prapë jemi duke vazhduar që edhe profilet e reja të jenë në të njëjtin trend me kërkesat e tregu", tha Abdullah Imeri, drejtor i shkollës së agrobiznesit "Zenel Hajdini" në Ferizaj.
Këto dy shkolla janë duke zbatuar sistemin dual, ku pjesa kryesore e mësimit zhvillohet në mënyrë praktike./rtk/