Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Mbi 1 mijë e 600 persona ende janë të zhdukur nga lufta në Kosovë

Vendi  |  20.09.2023 Ora 8:15   

Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në një intervistë për Radio Kosovën thotë se ngjarjet e fundit në veri të vendit kanë ndikuar edhe në punën e grupeve dhe nëngrupeve punuese të cilët merren me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

 

Gara gjithashtu thotë se në tetë lokacione brenda Kosovës janë bërë gërmime vlerësuese ku janë gjetur mbetjet e gjashtë personave.

Radio Kosova: Zotëri Gara, që nga themelimi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur është bërë shumë punë rreth zbardhjes së fatit të personave të zhdukur. Çfarë mund të na thuash këtë vit se si ka rrjedhur ky proces?

Kushtrim Gara: Çështja e personave të zhdukur mbetet prioritet jo vetëm për institucionet dhe për familjarët por për mbarë shoqërinë kosovare. Edhe këtë vit është bërë përpjekje që çështja të trajtohet me prioritetin dhe rëndësinë ashtu siç e meriton kjo çështje. Pra përpjekja që të reflektohet një e drejtë elementare e që është e drejta e familjes për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre. Në aspektin statistikor vazhdon të jenë më shumë se 1 mijë e 600 persona në listën e personave të zhdukur. Në asnjë rrethanë nuk do të thotë se edhe nëse mbetët vetëm një person në listë, do të themi që është bërë mjaftueshëm. Megjithatë duhet të theksohet se 70 për qind të rasteve janë të zgjidhura dhe Republika e Kosovës mbetet si storie e suksesit.

Radio Kosova: Në muajin maj pati probleme në veri të vendit. A ka ndikuar kjo në punën e grupeve punuese ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit?

Kushtrim Gara: Çështja e personave të zhdukur mbetet komplekse jo vetëm në kuptimin e implikimit të anës humanitare por edhe të rrethanave politike e pastaj juridike, sepse po flasim për krime lufte, gjendje socio - ekonomike të familjeve, gjendje psiko- sociale të shoqërisë sonë e ku pashmangshëm ndikon edhe në këtë proces. Megjithatë, në raport me grupet punuese më shumë sesa gjendja në veri ka ndikuar qasja politizuese e Serbisë karshi këtij problemi. Në këtë rast një nga zhvillimet e fundit është edhe mos reflektimi i palës serbe për zëvendësimin e kryesuesit apo të ndryshimit të emrave të përveçëm brenda strukturës së tyre siç është kërkesa e kryeministrit për Veljko Odaloviqit, për shkak të kaluarës së tij. Megjithatë, deri më tani pavarësisht mos mbajtjes së takimeve në nivel të kryetarëve të delegacioneve, janë mbajtur takime me nëngrupe punuese për mjekësi ligjore, ekipi analitik, takime ndërmjet ekspertëve që janë përfshirë drejtpërdrejt në këtë proces. Takimet e fundit në muajin shkurt në Prishtinë, pra i nëngrupit punues për mjekësi ligjore dhe ekipit analitik dhe një takim tematik për rastet e mbetjeve në Mjekësi Ligjore, ndërkaq takimet pasuese janë mbajtur në muajin mars në Beograd. Takimi i radhës ka qenë i planifikuar me 11 dhe 12 korrik në Prishtinë mirëpo  nuk është mbajtur për shkak të palës serbe. Pala serbe ka refuzuar pjesëmarrjen duke pasur një kërkesë, që tingëllon si formë kushtëzimi, që në takim të ekspertëve të marrë pjesë edhe kryetari i delegacionit, Odaloviq. Në shkresën që z.Hoti, kryetar i delegacionit të Kosovës, që ia dërgon KNKK, sigurisht insistohet ose mirëpritet që takimi të vazhdojë  në mes ekspertëve. Takimi i radhës që është planifikuar të mbahet në korrik, nuk është mbajtur. Jemi duke pritur tash për datën e një takimi.

Radio Kosova: Çfarë mund të na thoni për gërmimet në Kosovë dhe a keni lokacione të shënjuara në Serbi?

Kushtrim Gara: Edhe zhvillimi në raport me mbajtjen ose jo të takimeve edhe njëherë shpërfaq qasjen politizuese të Serbisë kundrejt këtij procesi. Në këtë rast, në mënyrë të veçantë, një qasje e tillë politizuese është shqetësuese dhe sfidë në këtë proces ku shfaqet edhe në rastet e lokacioneve në territorin e Serbisë. Sigurisht që ka me dhjetëra lokacione të shënjuara në Serbi, në disa prej të cilave që janë bërë gërmime paraprake për ne mbesin të pa përfunduara apo edhe lokacionet që do të klasifikoheshin si lokacione të reja për të cilat pritet të caktohet data për të vazhduar gërmimet. Gërmime në territorin e Serbisë nuk ka pasur që nga muaji maj i vitit të kaluar. Lokacioni Shtaval afër Sjenicës përkundër gërmimeve në këtë lokacion, për ne mbetet ende i papërfunduar. Ajo çfarë është e rëndësishme të potencohet është fakti që Republika e Kosovës vazhdon të jetë shembull në rajon dhe me gjerë për mënyrën e trajtimit të çdo informate që mund të kontribuojë për personat e zhdukur me forcë. Gjatë këtij viti kemi pasur 8 lokacione që janë bërë gërmime vlerësuese, që sipas ekzaminimeve dhe ekspertëve mjeko- ligjorë lidhen më rastin e viktimave të luftës. Në katër prej tyre janë lokacione që kanë rezultuar me gjetje, pra janë gjetur 6 persona. Ka lokacione që do të gërmojmë gjatë vjeshtës së këtij viti ku për disa kemi siguruar urdhëresa nga gjykata. Të paktën në dy lokacione do të kthehemi edhe njëherë. Gjatë ditëve në vijim besoj që do të jemi të fokusuar në një lokacion po ashtu në regjion të Prishtinës për të vazhduar pastaj që e kemi potencuar vazhdimisht, lokacionin në fshatin Bishtazhin dhe lokacione të tjera për të cilat kemi urdhëresa: një lokacion në regjionin e Gjilanit, Kamenicës një sërë lokacionesh që jemi duke punuar si institucione me një ekip ekspertësh si Mjekësi Ligjore,Gjykata, Prokurori, Policia e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, pra një angazhim dhe përpjekje maksimale që familjeve jo vetëm t’u lehtësohet dhembja por edhe ankthit të pritjes t’i vihet fundi. Kur jemi te respektimi i të drejtës së familjes për të ditur fatin dhe vendndodhjen e të dashurve të tyre,gjatë këtij viti gjatë gërmimeve të viteve paraprake familjeve u janë kthyer shatë mbetje mortore ku pesë prej tyre ishin në listën e personave të zhdukur, pra pesë identifikime të reja. Kemi një sërë identifikimesh ku vazhdimisht jemi në kontakt me familjet. Në momentin kur familja e cakton datën e rivarrimit, ne do t’ia dorëzojmë mbetjet mortore dhe do të ketë mbështetje për ceremoninë së rivarrimit. Jemi duke pritur edhe rezultatet e disa analizave të ADN-ës që dërgohen në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur. Të gjitha analizat e ADN -ës kryhen pa ndonjë kosto financiare.

Radio Kosova: Keni pasur që t’i riktheheni edhe njëherë çështjes së identifikimeve që janë bërë në mënyrë klasike pas luftës, sa lokacione i keni trajtuar?

Kushtrim Gara: Është e rëndësishme të theksohet se për çështjen e trajtimit të mbetjeve mortore të pa identifikuara në Institutin e Mjekësisë Ligjore,është themeluar grupi punues, i cili do t’i përdorë metodat tradicionale për identifikimin e këtyre mbetjeve mortore. Me duhet të them se në asnjë rrethanë identifikimet e mbetjeve mortore të pasluftës nuk kanë qenë gabim. Këtë e them për të hequr çdo dilemë te familjet. Por në rastin e fundit, në fshatin Lybeniq, po i kontaktojmë familjet e personave të zhdukur dhe të identifikuar në mënyrë tradicionale me mbështetjen e mekanizmave ndërkombëtarë që kanë qenë pjesë e këtij procesi. Në këto identifikime që kanë ndodhur pa përdorimin e ADN në atë kohë, është punuar edhe në aspektin shkencor nga ekspertë ndërkombëtarë ku dihet se përdorimi i analizave të ADN-ës në Kosovë ka ndodhur që nga viti 2003 e këndej. Ajo çka dua të theksoj është se kemi një bashkëpunim dhe mbështetje të madhe nga familjet e këtyre viktimave. Po e potencoj rastin e Lybeniqit, 12 familje të viktimave të identifikuara në mënyrë tradicionale janë kontaktuar nga ana e Komisionit Qeveritar dhe nga institucionet e Kosovës ku 11 prej tyre kanë qenë të gatshëm të japin mostra të gjakut. Mostrat janë procesuar dhe ka ardhur rezultati i ADN-së që e dëshmon se janë mbetjet e dy personave që janë në morgun e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, përkundër faktit që familjet kanë pretenduar se i kanë rivarrosur.

Radio Kosova: Përveç lokacioneve në Gjilan, Kamenicë dhe Skenderaj, a keni në plan edhe ndonjë lokacion të ri?

Kushtrim Gara: Përveç lokacioneve që po i potencojmë do të jetë edhe një lokacion në Prishtinë në varrezat në Arbri, një lokacion në varrezat në Mat dhe do të rikthehemi edhe një në lokacion në Podujevë, një në Komunën e Vushtrrisë në të cilin jemi në fazën e mbledhjes së informatave dhe procedimit të mëtejmë në sigurimin e urdhëresave nga Gjykata përmes Prokurorisë Speciale të Kosovës. Kemi një lokacion që është vizituar në lagjen Arbana në Prizren ku do të jetë pjesë e agjendës. Po e marr edhe rastin e Bishtazhinit ku ka qenë varrezë e jashtëligjshme masive ku forcat serbe kanë varrosur viktimat e të paktën tri masakrave në Komunën e Gjakovës e në ditët e fundit të luftës janë tërhequr dhe janë dërguar në vende të panjohura. Është bërë lidhja e këtij lokacioni dhe një varreze masive në territorin e Serbisë. Forcat serbe e kanë bërë tërheqjen e trupave me mjete të rënda dhe kanë mbetur kocka në sipërfaqe të cilat janë mbledhur dhe janë varrosur në Brekoc prandaj, ne do t’i kthehemi edhe njëherë këtij lokacioni për të parë se mund të ketë mbetje kockore. Në këtë proces kanë ndihmuar të dhënat e danezeve, KNKK, dhe janë pamjet satelitore në periudha të ndryshme kohore, Pra kemi muajin prill,maj dhe qershor të 99-ës. Në bazë të ndryshimeve të relievit kemi ardhur në përfundim se duhet t’i kthehemi edhe njëherë kësaj hapësire.

Radio Kosova: Pra edhe 1 mijë e 600 persona rezultojnë të zhdukur?

Kushtrim Gara: Asnjëherë nuk duam ta interpretojmë procesin në statistika, sepse, prapa çdo numri qëndron një familje, një histori që lidhet me vetë historinë tragjike të shtetit të Kosovës. Megjithatë të dhënat janë gjithmonë të ndryshueshme, sepse ka identifikime të reja ku mund të zvogëlohet numri, mund të ketë kërkesa për regjistrime të reja. Adresimi i këtij procesi siç janë keq identifikimet e mundshme, rihapja e varreve etj. ka impakt në këtë numrin e përgjithshëm. Por ajo çka është e rëndësishme është se ka përpjekje që çdo rast të trajtohet me profesionalizmin e duhur dhe me përkushtimin e duhur institucional.

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing