Kanë kaluar thuajse 15 vjet qëkurse “Mr. Popper’s Penguins” me Jim Carrey doli në kinema, tashmë konsiderohet një film i vjetër. Por në përpjekjet e përjavshme për të gjetur filma jo domosdoshmërisht të rinj për të parë në familje, mbas prezantimit me kinemanë shqiptare për fëmijë, që për fëmijët e sotëm quhen filma jo të qartë (nga figura e tyre, që nuk shkëlqen si filmat e Disneyt apo Pixar – ama tejet argëtues), Pinguinët e Popperit ishte një gjetje. Popperi vetë, sado që Jim Carrey është Jim Carrey, nuk është ndonjë gjë (mbase krahasuar me komeditë e tjera të kohës së artë të tij), pinguinët nga ana tjetër janë shumë argëtues, tejet të lezetshëm dhe mjaftueshëm për ta bërë një film të vlefshëm për movie-night.
Kapiteni, Dashnori, Kafshuesi, Nimrodi, Qelbsi dhe Zhurmuesi (në shqip emrat tingëllojnë edhe më mirë se në anglisht), janë një më pak se xhuxhat e Borëbardhës, por njësoj si emrat e tyre thonë shumë, të dallueshëm dhe joshës për fëmijët për arsye të ndryshme.
Me regji të Mark Waters, i njohur më së shumti për atë që gjërësisht konsiderohet një komedi kult – “Mean Girls” (2004), “Mr. Popper’s Penguins” edhe pse jo filmi i tij më i mirë, hyn në filmat e tij të arritur. Bazuar në librin klasik të 1938 nga Richard dhe Florence Atwater – ku tregohet historia e një burri që merr dhuratë pinguinë prej vërteti të cilët do ti mësojmë leksione të vlefshme jete. Skenaristët Sean Anders dhe John Morris e kanë modernizuar me probleme post kapitaliste [mbase me më shumë të tilla se çdo të duhej].
E në këto ‘kohët moderne’ (të kuptohemi modernja ndryshon me çdo dekadë) qëllimi i filmit është të tregojë se sa e vështirë është për një burrë të jetë një baba i mirë duke mos u mjaftuar vetëm më këtë – pra a mund ti ketë një burrë edhe apartamentin e luksit, edhe statusin, edhe familjen?!. Tommy Popper-in e takojmë për herë të parë si fëmijë, në dhomën në papafingo, ndërsa flet me të atin në një radio (nga ato me marrje-marrje). E kuptojmë se i ati edhe pse i munguar, është heroi i tij.
Popper-i i rritur jeton në një nga qiellgërvishtëset e Manhattanit, tashmë i arrirë profesionlisht, ndërsa personalisht është duke kaluar një divorc, që vjen për shkak se familja për të ka ardhur gjithmonë e dyta – jo se dashuria për të shoqen nga përfunduar. Por njësoj si ati, prioritet është puna, një punë që e ka larguar edhe prej dy fëmijëve, një vajzë në adoleshencë dhe një 8-9 vjeçar, të dy në pritje të një mrekullie për të ndenjur me të atin më gjatë sesa një telefonatë. Kjo derisa në derën e Popper, do të shfaqet një kuti druri, prej së cilës një pinguin i vërtetë (dhe më vonë edhe të tjerë si ai) do të ndryshojnë tërësisht realitetin e atij që në sipërfaqe është një ekzektutiv i pa-shpirt por në brendësi është krejt tjetër.
Gjërat ndërlikohen edhe më tepër kur i biri (që ka ditëlindjen) mendon se pingunët janë dhurata që babai i ka bërë për ditëlindje. Këtu fillon edhe përpjekja e Popper për të gjetur veten, si baba, si partner por edhe si njeri qoftë në raport me punën e tij që nuk është domosdoshmërisht e ndershme. Katarsisi kryesor duhet të fillojë nga paqja me mungesën e të atit – i cili është strumbulluri në të gjitha kuptimet, i së gjithë meselesë.
Me praninë e Angela Lansbury, Craig Cregg, Carla Gugino etj, filmi duket si një version i 101 i Dalmatëve por me pinguinë. Ndryshe nga ky i fundit, konfliktet janë më të shumta dhe për fëmijët disi të pakapshme por mbase kjo e bën filmin të vlefshëm për t’u parë në familje.
Efektet speciale praktike dhe ato kompjuterike janë tejet të realizuara duke mos kuptuar fort ku janë pinguinë prej vërteti dhe ku jo – sidomos për fëmijët më të vegjël. Dikur Hollywood-i bënte më pak por i bënte saktë. Me kalimin e kohës ka një lloj artificialiteti në efektet speciale nëpër filma duke i bërë ato shpesh të duken si videolojëra.
Ndihmuar nga nostalgjia e brezave më të rritur dhe kureshtja e atyre më të rinj, shumë prej filmave të viteve ‘90 – ‘00 apo ‘10 me platformat e streaming-ut po gjejnë një publik të ri, e duket se ky fat i takon edhe “Mr. Popper’s Penguins” – i cili me siguri nuk është komedia më e mirë e Jim Carrey (qoftë edhe kur kemi në mendje vetëm komeditë familjare), apo nuk është ndër ata filma që do të mbeten gjatë në mendjen e fëmijëve për shkak të emocioneve që përftohen duke e parë, ama është absolutisht freskues dhe çlodhës për momentin kur doni të uleni për të parë diçka të gjithë së bashku përpara televizorit.
Dhe një mësim na e jep – që asnjëherë nuk është vonë për të rregulluar diçka që nuk e ke bërë si duhet në të shkuarën. Nëse ndihma për ta kuptuar të vjen nga një familje pinguinësh akoma më mirë.