Juventusi është në kërkim të një qendërmbrojtësi të ri, dhe në listën e objektivëve është rikthyer emri i portugezit Antonio Silva.
Transferimi i tij mund të bëhet më i realizueshëm nëse Rui Braz, një nga pretendentët për postin e drejtorit sportiv, emërohet në ditët në vijim.
Klubi bardhezi synon të ketë një drejtues të ri sportiv që do të punojë ngushtë me Damien Comolli, në kuadër të procesit të rigjenerimit të skuadrës.
Rui Braz, i cili aktualisht është pjesë e Benficës, duket pranë një largimi dhe mirëpret kalimin në Torino, ku mund të luajë një rol kyç në ndërtimin e ekipit të ri.
Pikërisht prania e tij mund të ndikojë që Juventusi të sigurojë shërbimet e Antonio Silvës, 21-vjeçarit të talentuar që ka shkëlqyer me fanellën e Benficës.
Silva ka grumbulluar 140 paraqitje zyrtare, duke realizuar nëntë gola dhe dhënë tre asistime, një përvojë mbresëlënëse për moshën e tij.
Sipas Calciomercato.it, Benfica do të kërkojë të paktën 40-45 milionë euro, por mbetet të shihet nëse Juventusi do të jetë i gatshëm të plotësojë këtë kërkesë.