Mjekët po e njohin gjithnjë e më shumë intensitetin e dhimbjeve menstruale, madje disa i krahasojnë ato me sulmet në zemër – apo edhe më keq.
Eksperti i shëndetit riprodhues, John Guillebaud, ka thënë se pacientet shpesh i përshkruajnë krampet menstruale si “gati po aq të dhimbshme sa një infarkt”. Ndërkohë, gjinekologia Dr. Jen Gunter argumenton se mund të jenë edhe më të forta, pasi simptomat e një sulmi në zemër tek gratë shpesh janë të paqarta apo të buta.
Kjo dhimbje, e njohur si dismenorrea primare, prek deri në 90% të grave dhe shpesh është nga mesatarisht e fortë deri në ekstreme. Megjithatë, ajo shpesh neglizhohet apo nuk trajtohet siç duhet. Krampet shkaktohen nga prostaglandinat – kimikate natyrale në shtresën e mitrës që nxisin tkurrjen e muskujve dhe aktivizojnë receptorët e dhimbjes. Gjatë menstruacioneve, presioni brenda mitrës mund të arrijë nivele të krahasueshme me ato gjatë lindjes aktive, duke e bërë përvojën jashtëzakonisht të dhimbshme për shumë gra.