Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Një kompani inovative në Berlin po ofron një shërbim që sfidon kufijtë e shkencës dhe imagjinatës: ruajtjen e trupit pas vdekjes përmes kriopreservimit, me shpresën se shkenca e së ardhmes mund të mundësojë kthimin në jetë.
Startup-i Tomorrow Bio tarifon 200 mijë dollarë për këtë proces, i cili fillon menjëherë pas vdekjes ligjore dhe përfshin ftohjen ekstreme të trupit për të parandaluar dekompozimin dhe dëmtimet qelizore. Kompania ka ekip emergjent në dispozicion 24/7 për të ndërhyrë në kohë.
Deri më tani, janë ruajtur 3-4 njerëz dhe 5 kafshë shtëpiake, ndërsa rreth 700 persona të tjerë kanë nënshkruar për këtë shërbim. Tomorrow Bio është laboratori i parë i këtij lloji në Evropë, dhe paralajmëron zgjerim në SHBA gjatë vitit 2025.
Megjithatë, komuniteti shkencor mbetet skeptik. Nuk ka pasur asnjë rast të rikthimit të suksesshëm të ndonjë njeriu apo kafshe pas kriopreservimit. Kritikë si profesori i neuroshkencës Clive Coen e konsiderojnë idenë të pabazë, duke theksuar rrezikun e dëmtimeve të pakthyeshme në tru dhe mungesën e provave mbi teknologjitë si nanomjekësia apo hartëzimi i trurit.
Pavarësisht kritikave, bashkëthemeluesi i kompanisë, Emil Kendziorra, insiston që shkenca ia vlen të eksplorohet. Ai thekson se qëllimi nuk është të “ngrirësh” trupin, por të “krioruash” atë në mënyrë që të shmangen kristalet e akullit dhe dëmtimet në inde.
Një temë që ngjall shumë diskutim, ndoshta më shumë se sa shpresa për pavdekësinë – është besimi tek ajo që shkenca mundet të bëjë... por ende nuk e ka bërë.