Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Qeveria italiane ka dhënë miratimin final për ndërtimin e Ura së Messinës – një projekt gjigant prej 13.5 miliardë euro, që do të lidhë Sicilinë me Calabrian përmes urës më të gjatë pezull në botë.
Sipas planit të aprovuar, ura do të shtrihet mbi ngushticën e Messinës në një gjatësi prej 3.3 kilometrash, mbështetur nga dy kulla 400 metra të larta. Ajo do të ketë dy linja hekurudhore dhe nga tri korsi rrugore në secilën anë. Projektuesit garantojnë se ura do të jetë në gjendje të përballojë edhe tërmetet më të fuqishme, përkundër faktit që zona është ndër më aktive në Mesdhe për nga rreziku sizmik.
Kryeministrja Giorgia Meloni e cilësoi këtë si një “investim në të tashmen dhe të ardhmen e Italisë”, ndërsa ministri i Transportit Matteo Salvini tha se ura pritet të përfundohet deri në vitin 2033, duke krijuar rreth 120 mijë vende pune në vit.
Megjithatë, projekti përballet me kritika të shumta. Shumë grupe lokale dhe ambientalistë e kundërshtojnë ndërtimin për shkak të ndikimit në mjedis, përdorimit të resurseve të mëdha ujore dhe rrezikut që fondet publike të keqpërdoren nga mafia. Përveç kësaj, banorët lokalë që mund të humbin pronat e tyre pritet të kundërshtojnë në rrugë ligjore.
Ura e Messinës ka qenë një ide që daton që nga vitet ‘70, por deri më tani nuk është realizuar për shkak të kostos së lartë dhe sfidave të shumta politike, teknike dhe sociale.