Selena Gomez ka zbuluar së fundmi se si u bë shoqe me Taylor Swift, gjatë një interviste në podkastin Therapuss.
Ajo tregoi se njohja nisi në vitin 2008, kur Selena ishte në një lidhje me Nick Jonas, ndërsa Taylor dilte me vëllain e tij, Joe Jonas.
“Gjithçka ishte e ëmbël, ishim shumë të reja. Ne themi gjithmonë që gjëja më e bukur që morëm nga ato lidhje ishim ne vetë, sepse u bë një miqësi e sinqertë,” tha Selena. “Unë isha 15 vjeç, ajo 18, dhe ishte ajo periudha me kaçurrelat çmendurisht të bukura dhe byzylykët deri në bërryla.”
Selena tregoi gjithashtu se ishte një nga personat e parë që dëgjoi hitin legjendar të Taylor-it, "Love Story", përpara se të publikohej.
“E dëgjova në një dhomë hoteli, dhe që në momentin e parë mendova: kjo është një nga këngët më të bukura që kam dëgjuar ndonjëherë.”
Dyshja u lidhën që në atë kohë, pas ndarjeve me vëllezërit Jonas, dhe që atëherë kanë qëndruar pranë njëra-tjetrës përmes ulje-ngritjeve të jetës.
“Kanë kaluar 16 vjet dhe ne jemi ende këtu – shoqe të pandara,” përfundoi Selena.