Shitjet e Teslës në Evropë po bien shpejt edhe më tej. Të dhënat për korrikun vijnë nga Evropa, dhe regjistrimet e Tesla-s kanë rënë për 41.6 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, pavarësisht rritjes së shitjeve të automjeteve elektrike në kontinent. Kjo tregon se rënia e shitjeve në gjysmën e parë të vitit 2025 vazhdon edhe në gjysmën e dytë të vitit, megjithëse ekspertët e PR-së të Teslës pohuan se problemi në tremujorin e parë ishte kalimi te Model Y, që kufizoi ofertën.
Në fakt, duket se rënia po përshpejtohet në shumicën e tregjeve evropiane, shkruan Elektrek. Që nga fillimi i vitit (janar-korrik), shitjet e Teslës kanë rënë për 34.3 për qind në të gjithë Evropën. Shitjet e Teslës në Evropë tashmë kanë rënë rreth 10 për qind ose 40 mijë vetura midis 2023 dhe 2024, dhe tani rënia po përshpejtohet. Në tregjet e mëdha si Gjermania dhe Franca, rezultatet janë edhe më të këqija. Vetëm disa vite më parë, prodhuesi amerikan shiste mbi 60 mijë automjete në vit në Gjermani. Parashikimet janë se këtë vit do të shesë 20 mijë automjete.
Duket se qëndrimet dhe politika e drejtuesve të kompanisë së Elon Musk nuk janë problemi i vetëm. Në Evropë ka konkurrencë të madhe në segmentin e automjeteve elektrike, dhe ajo do të bëhet edhe më e fortë. Avantazhi teknologjik i Teslës po shkrin ngadalë, shumë prodhues kanë prezantuar modele që ofrojnë çmim dhe autonomi konkurruese. Pra, as financat dhe as teknologjia nuk janë më vetëm në anën e Teslës.