Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Qeveria britanike ka publikuar udhëzime të reja për prodhuesit e ushqimit për foshnje, duke u kërkuar atyre të ulin nivelet e sheqerit dhe kripës, si dhe të ndalojnë promovimin e snack-ëve për fëmijët nën moshën një vjeçare. Po ashtu, kompanitë nuk do të mund të përdorin pretendime marketingu për përfitime shëndetësore pa mbështetje shkencore.
Sipas këtyre udhëzimeve, prodhuesit kanë 18 muaj kohë për të bërë ndryshimet e kërkuara, përndryshe mund të përballen me masa shtesë. Nisma erdhi pas një hetimi të BBC Panorama, i cili zbuloi se shumë prej produkteve të njohura mungojnë në lëndë ushqyese dhe përmbajnë nivele të larta sheqeri, duke krijuar perceptime të gabuara tek prindërit përmes paketimit dhe sloganeve.
Ekspertët paralajmërojnë se produktet e gatshme të foshnjave shpesh janë më afër një ëmbëlsire sesa ushqimi të shëndetshëm, dhe theksojnë se është përgjegjësi e kompanive të përmirësojnë recetat dhe informacionin në paketim.
Udhëzimet, të cilat aktualisht janë vullnetare, vlejnë për Anglinë, por pritet të ndikojnë në tregun e tërë Mbretërisë së Bashkuar. Aktivistët shëndetësorë kanë bërë thirrje që këto masa të shndërrohen në ligje detyruese për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve.