Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Subvencionet qeveritare për blerjen e pajisjeve ngrohëse dhe ftohëse efiçiente kanë pasur ndikim të dukshëm në konsumin e energjisë elektrike në Kosovë.
Sipas Institutit “Atlas”, këto ndihma kanë ndikuar që gjatë verës të mos ketë rritje të madhe të konsumit, pasi shumë qytetarë kanë zëvendësuar pajisjet e vjetruara me ato më efiçiente. Njohësi i çështjeve ekonomike, Lulzim Beqiri, thekson se përfitimi ka qenë i dyfishtë: kursimi i energjisë dhe mbrojtja e ambientit nga ndotja e shkaktuar nga druri dhe thëngjilli.
Megjithatë, sipas ekspertit të energjetikës Adhurim Haxhimusa, subvencionimi i ka nxitur familjet të blejnë më shumë pajisje elektrike, si kondicionerët, çka ka sjellë rritje të konsumit gjatë dimrit. Ai thotë se në janar të vitit 2025, krahasuar me janarin e vitit 2023, konsumi i energjisë është rritur mbi 13 përqind.
Beqiri dhe Haxhimusa pajtohen se Kosova duhet të përqendrohet në ngritjen e kapaciteteve gjeneruese të energjisë. Aktualisht, vendi vazhdon të prodhojë rreth 800 MW energji, pa ndonjë rritje të dukshme, ndërsa mungesa e një strategjie të qartë zhvillimore dhe mosrespektimi i direktivave të BE-së rrezikon që qytetarët të përballen me mungesë të energjisë edhe në vitet e ardhshme.
Ekspertët theksojnë se Kosova ka resurse të bollshme, por pa investime serioze dhe plane afatgjata, subvencionet vetëm sa e zbusin përkohësisht problemin, pa e zgjidhur atë.