Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Në West Hollywood, Los Angeles, është hapur një ndërtesë futuriste që kombinon disa botë në një: restorant, stacion karikimi për vetura elektrike, kinema drive-in dhe dyqan me produkte Tesla. Tesla Diner, ide e shpallur nga Elon Musk qysh në vitin 2018, u realizua këtë korrik dhe ka shndërruar zonën në një destinacion të ri për fansat e tij.
Restoranti ofron 80 pika superkarikimi për veturat Tesla, mundësinë për të porositur ushqim nga ekrani i makinës, si dhe një kinema drive-in ku zëri transmetohet drejtpërdrejt në sistemin audio të veturës. Brenda, ambienti është i mbushur me forma rrethore, shkallë spirale dhe pajisje futuriste, duke përfshirë edhe robotin humanoid Optimus, i cili në ditët e para shërbente kokoshka.
Fansat e Musk kanë organizuar aktivitete të ndryshme në këtë vend – nga shfaqje dritash me Cybertruck deri te ndjekja e lëshimit të raketës SpaceX Starship. Për ta, ky restorant është një vendtakim “më tokësor” sesa vizitat në fabrikat e Tesla-s apo qendrat e SpaceX.
Por jo të gjithë janë të kënaqur. Disa banorë të lagjes janë ankuar për trafikun, zhurmën dhe ekranet gjigante që ua mbulojnë pamjen. Gjithashtu, protestues kanë shënjestruar lokalin për shkak të qëndrimeve politike të Musk dhe përfshirjes së tij në administratën Trump.
Megjithatë, pavarësisht kritikave dhe polemikave, Tesla Diner ka dëshmuar një gjë: çdo projekt i Elon Musk, qoftë veturë, raketë apo restorant, nuk kalon kurrë pa u vënë re.