Ilaçet si Wegovy dhe Mounjaro, të përdorura për trajtimin e obezitetit dhe diabetit të tipit 2, janë bërë shumë të njohura vitet e fundit por ekspertët paralajmërojnë se shumë pacientë rikthejnë peshën e humbur sapo ndalojnë injeksionet.
Studimet tregojnë se pjesëmarrësit në provat klinike fituan përsëri deri në dy të tretat e peshës së humbur pas ndërprerjes së trajtimit. Një analizë në Kinë, me mbi 2,400 pacientë, tregoi se shtimi në peshë fillon tetë javë pas ndalimit të medikamenteve.
Instituti Kombëtar i Shëndetit dhe Kujdesit në Britani të Madhe (NICE) thekson se mungon mbështetja për pacientët pas ndërprerjes së ilaçeve dhe bën thirrje për këshillim të strukturuar, ndihmë nga dietologë, si dhe grupe mbështetjeje për aktivitet fizik. “Menaxhimi i peshës është një udhëtim afatgjatë, jo një zgjidhje e përkohshme”-tha Dr. Rebecca Payne nga NICE. NICE ka vendosur standarde të reja që kërkojnë kujdes të vazhdueshëm dhe mbështetje për pacientët, në mënyrë që ata të ruajnë rezultatet dhe të shmangin rikthimin në peshë.
Ndërkaq, ilaçi për humbjen e peshës mund të rrisë ndjeshëm ovulimin. Në TikTok po thuhet se ka gra që po ngelin shtatzënë prej përdorimit të tij. “Ozempic babies” (bebet ozempic) është termi më i ri që ka shpërthyer online dhe raportimet për të vetëm shtohen çdo ditë. Por çfarë thonë ekspertët për këtë temë? “Shkenca ka vërtetuar se humbja e peshës, mund të rrisë ndjeshëm ovulimin te gratë me çrregullimin e ciklit menstrual”,-thotë Karen Wheeler, e njohur si mjeke endokrinologjiste.
Gratë që humbin peshë me Ozmepic dhe më parë kanë pasur probleme me ovulimin, mund të nisin të kenë ovulim. Nëse nuk po përdorin metoda kontraceptive gjasat janë të larta që të ngelin shtatzënë kur janë duke përdorur ilaçin.