Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Policia e Kosovës ka zhvilluar një fushatë të gjerë informuese në shkollat fillore dhe të mesme të vendit, me synim rritjen e vetëdijes së të rinjve dhe parandalimin e trafikimit me njerëz.
Gjatë periudhës 18 tetor – 18 nëntor 2025, zyrtarët e Njësisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore kanë mbajtur ligjërata në 49 shkolla në të gjitha rajonet e Kosovës, ku morën pjesë rreth 1,585 nxënës dhe profesorë.
Sipas Policisë, qëllimi kryesor i këtyre sesioneve ka qenë informimi i nxënësve mbi rreziqet e trafikimit, format e shfrytëzimit dhe rëndësinë e raportimit të hershëm të rasteve.
Aktivitetet janë zhvilluar në kuadër të Strategjisë Kombëtare kundër Trafikimit me Njerëz dhe kanë përfshirë edhe ligjërata të dedikuara për mësimdhënësit në Pejë, Gjakovë dhe Gjilan, në bashkëpunim me prokuroritë, DKA-të dhe organizata të ndryshme.
Policia thekson se bashkëpunimi me komunitetin arsimor mbetet kyç për identifikimin dhe parandalimin e rasteve të mundshme. Fushata do të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm me fokus te edukimi preventiv dhe sensibilizimi i vazhdueshëm.