Dokumente të reja të zbardhura tregojnë se Donald Trump ka udhëtuar të paktën tetë herë me aeroplanin privat të Jeffrey Epstein midis viteve 1993 dhe 1996, raporton BBC.
Të dhënat vijnë nga një email i datës 7 janar 2020, i shkruar nga një ndihmësprokuror federal i Distriktit Jugor të New Yorkut, ku thuhet se Trumpi kishte qenë pasagjer në më shumë fluturime sesa ishte raportuar më parë.
Sipas dokumentit, në të paktën katër nga këto fluturime ishte e pranishme edhe Ghislaine Maxwell, e dënuar në vitin 2022 me 20 vjet burg për trafikim seksual të të miturve. Në një fluturim të vitit 1993, Trump dhe Epstein ishin të vetmit pasagjerë të regjistruar, ndërsa në një tjetër udhëtim ndodhej edhe një 20-vjeçar.
Trump ka qenë mik i Epsteinit për disa vite, por ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje apo shkelje ligjore lidhur me të.
Jeffrey Epstein u arrestua për herë të parë në vitin 2008 për abuzim seksual ndaj të miturve dhe u lirua pas 13 muajsh burg. Në vitin 2019 ai u arrestua sërish, por u gjet i vdekur në qelinë e tij më 10 gusht 2019, në rrethana që u cilësuan si vetëvrasje.