Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Bashkimi Evropian ka nisur procesin e heqjes graduale të masave kufizuese ndaj Kosovës dhe synon që në javët e ardhshme të eliminojë edhe masat e natyrës financiare.
Lajmin e ka konfirmuar drejtori i përgjithshëm për Zgjerim i Komisionit Evropian, Jan Gert Koopman, gjatë një seance dëgjimore në Parlamentin Evropian. Ai ka bërë të ditur se tashmë ka filluar zbutja e masave dhe se shuma financiare në fjalë tejkalon 400 milionë euro.
Sipas Koopman, Komisioni Evropian është duke zhvilluar konsultime me autoritetet përkatëse dhe synon që vendimi të finalizohet deri në fund të muajit, me kusht që të miratohet edhe nga Komiteti i Shteteve Anëtare.
Ai ka sqaruar se heqja e plotë e masave financiare do të bëhet e mundur pas përfundimit të procedurave të programimit dhe nënshkrimit të kontratave, në përputhje me deklarimet e mëhershme të presidentes së Komisionit Evropian.
Sa i përket Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Koopman ka theksuar se Kosova mund të marrë pagesat e para të parafinancimit vetëm pas konstituimit të Kuvendit dhe ratifikimit të marrëveshjeve përkatëse, duke shtuar se Komisioni është i gatshëm të veprojë shpejt sapo këto kushte të përmbushen.