Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Menaxhimi i mbeturinave inerte mbetet një ndër sfidat kryesore mjedisore në Kosovë, veçanërisht në zonat urbane ku zhvillimet ndërtimore janë në rritje të vazhdueshme. Prishtina, si kryeqytet, përballet shpesh me hedhje të pakontrolluar të këtyre mbeturinave në hapësira publike.
Në shumë zona të qytetit, përreth kontejnerëve për mbeturina, vërehen grumbuj orendish të vjetra, shtretër, kolltukë, vaska dhe mbetje ndërtimore, të cilat nuk konsiderohen si mbeturina amvisërie dhe nuk mblidhen nga shërbimet e rregullta të pastrimit.
Për të adresuar këtë problem, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se do t’i ofrojë mbështetje Ndërmarrjes Rajonale “Pastrimi” për mbledhjen dhe menaxhimin e mbeturinave inerte. Në këtë kuadër, dy institucionet kanë nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi, ku janë përcaktuar kriteret e ndihmës konkrete dhe parimet bazë të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Marrëveshja synon rritjen e efikasitetit dhe përmirësimin e pastërtisë urbane dhe do të ketë një kohëzgjatje prej dy vjetësh, me mundësi ndryshimi ose ndërprerjeje vetëm me marrëveshje të ndërsjellë ose me njoftim paraprak prej 30 ditësh.
Ndërkohë, institucionet u bëjnë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar ndaj hapësirave publike dhe të shmangin hedhjen e mbeturinave inerte në vende të papërshtatshme.