Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Trendi i emigrimit nga Kosova drejt vendeve të Bashkimit Europian po vazhdon me intensitet të lartë, ndërkohë që punëtorët e sektorit privat po përballen me paga të ulëta, mungesë sigurie dhe pabarazi të theksuar krahasuar me sektorin publik.
Në një intervistë për “Monitor”, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, deklaron se shifrat zyrtare nuk pasqyrojnë realitetin e plotë të emigrimit. Sipas tij, rreth 350 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova gjatë pesë viteve të fundit, ku rreth 200 mijë prej tyre kanë gjetur punë kryesisht në Gjermani dhe vendet e tjera të BE-së.
Azemi thekson se pjesa më e madhe e të larguarve janë punëtorë të sektorit privat, të cilët kanë punuar me paga minimale, pa kontrata stabile dhe pa sigurime shëndetësore apo sociale. Sipas tij, paga mesatare prej rreth 600 eurosh nuk përballon koston reale të jetesës, sidomos pas rritjes së çmimeve të ushqimit, energjisë dhe qirave.
Situata është përkeqësuar edhe nga vonesat në formimin e institucioneve, çka ka sjellë pasiguri për kontratat, vonesa në pagesa dhe vështirësi financiare për kompanitë që ofrojnë shërbime për sektorin publik.
Sindikalisti ngre shqetësimin edhe për pabarazinë mes punëtorëve privatë dhe atyre publikë, duke theksuar se për të njëjtën punë ekzistojnë dallime të ndjeshme në paga dhe kushte pune.
Alarmante mbetet edhe siguria në vendin e punës. Sipas të dhënave të sindikatës, nga janari deri në tetor 2025 janë regjistruar 29 vdekje në vendet e punës, ku shumica kanë ndodhur në sektorin e ndërtimtarisë.
Azemi paralajmëron se nëse nuk merren masa konkrete për përmirësimin e kushteve të punës dhe barazimin e trajtimit të punëtorëve, Kosova rrezikon të përballet me mungesë serioze të fuqisë punëtore në vitet e ardhshme.