Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Mbitërheqjet bankare (overdraftet) të qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë kanë shënuar rritje të ndjeshme gjatë vitit 2025, duke arritur vlerën prej 655 milionë euro.
Sipas të dhënave të reviduara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), të publikuara nga Instituti GAP dhe të transmetuara nga KosovaPress, stoku i overdrafteve në fund të vitit 2025 është rritur për 11.4 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Pjesën më të madhe të kësaj vlere e përbëjnë overdraftet e bizneseve, të cilat gjatë vitit 2025 janë rritur për rreth 49 milionë euro, apo 10 për qind më shumë se një vit më parë. Norma mesatare efektive e interesit e aplikuar për overdraftet e bizneseve ka qenë rreth 7 për qind.
Ndërkohë, overdraftet e ekonomive familjare kanë arritur vlerën prej 115.9 milionë euro, duke shënuar një rritje prej rreth 18 milionë euro, ose 19 për qind, krahasuar me vitin paraprak. Norma mesatare efektive e interesit për këto mbitërheqje ka qenë 12.3 për qind.
Të dhënat e Institutit GAP tregojnë se përdorimi i overdraftit po rritet si nga bizneset ashtu edhe nga familjet, duke reflektuar nevojën për likuiditet dhe përballimin e shpenzimeve në rritje.