Kuvendi Komunal i Prishtinës mban sot, në orën 10:00, një seancë të jashtëzakonshme ku në rend të ditës është miratimi i buxhetit për vitin 2026.
Seanca vjen në një periudhë kur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ende nuk ka prezantuar zyrtarisht kabinetin e tij qeveritar. Buxheti i kryeqytetit për këtë vit parashikohet të arrijë 151 milionë euro.
Buxheti më herët nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e nevojshme në Kuvendin Komunal, duke lënë Prishtinën pa buxhet të miratuar. Propozim-vendimi për miratimin e tij do të shqyrtohet përmes kësaj seance të jashtëzakonshme, të thirrur për të premten.
Bekim Salihu, analist i politikës në institutin GAP, paralajmëron se në rast se buxheti nuk miratohet brenda afateve ligjore, Kuvendi Komunal mund të shkojë në zgjedhje.
Ai shtoi se kjo situatë prodhon efekte jopozitive për qytetarët, qytetin dhe prioritetet e komunës.
Nga Vetëvendosje, thanë se po trajtojnë draft-buxhetin dhe ende nuk kanë ndonjë qëndrim zyrtar. Përmes rrjeteve sociale, kanë adresuar kritika lidhur me këtë buxhet.
Ndërsa LDK në Prishtinë kërkon që buxheti të mbështetet nga të gjitha subjektet, duke theksuar se në të janë të parashikuara investime kapitale në fusha të ndryshme.
RTK