Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Gjatë vitit të kaluar, remitancat në Kosovë kanë arritur vlerën prej 1.42 miliard eurosh, duke shënuar një rritje prej 4.4 për qind, apo rreth 60 milionë euro më shumë krahasuar me vitin 2024.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, muaji dhjetor ende mbetet me të dhëna preliminare dhe pritet të finalizohet në fund të shkurtit. Pjesa më e madhe e remitancave kanë ardhur nga Gjermania me rreth 39 për qind të totalit, e ndjekur nga Zvicra me 17.5 për qind, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 7.2 për qind, Austria me 4.2 për qind, Italia me 3.9 për qind, si dhe Belgjika dhe Franca me nga 3.4 për qind.
Sa i përket mënyrës së dërgimit të parave, rreth 55 për qind e remitancave janë transferuar përmes agjencive për transfere të mjeteve, 17 për qind përmes bankave, ndërsa 28 për qind përmes kanaleve të tjera.
Mesatarja mujore e remitancave ishte rreth 117.9 milionë euro, ndërsa prurjet më të mëdha janë regjistruar gjatë muajve korrik, gusht dhe dhjetor, kryesisht në periudhat kur mërgimtarët qëndrojnë në Kosovë.