Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Kosova është vlerësuar me 43 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025, të publikuar nga organizata ndërkombëtare Transparency International (TI), duke shënuar një rënie për një pikë krahasuar me vitin paraprak.
Ky vlerësim e rendit Kosovën në vendin e 76-të në botë, nga gjithsej 182 shtete dhe territore, tri pozita më poshtë se në vitin 2024. Sipas TI-së, indeksi mat nivelin e korrupsionit të perceptuar në sektorin publik, në një shkallë nga 0 deri në 100 pikë.
Vlerësimin më të mirë Kosova e kishte shënuar në vitin 2024 me 44 pikë, ndërsa që nga përfshirja në këtë indeks në vitin 2012, rezultatet më të dobëta i kishte pasur në vitet 2013, 2014 dhe 2015, kur ishte vlerësuar me 33 pikë.
Në nivel rajonal, Mali i Zi është vlerësuar më së miri me 46 pikë, i ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 40, Shqipëria me 39, Bosnje e Hercegovina me 34 dhe Serbia me 33 pikë.
Transparency International thekson se në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, institucionet e dobëta, përqendrimi i pushtetit dhe presioni ndaj gjyqësorit po ndikojnë negativisht në luftën kundër korrupsionit dhe po dëmtojnë besimin e publikut.
Sipas raportit, shumica e vendeve në botë vazhdojnë të përballen me sfida serioze në luftimin e korrupsionit, ndërsa mesatarja globale e indeksit ka rënë në 42 pikë, niveli më i ulët i dekadës së fundit.