Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Fenomeni klimatik El Ninjo pritet të rikthehet që në muajin maj, duke rritur gjasat për temperatura mbi mesataren në pjesën më të madhe të botës, sipas një raporti të fundit të Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO).
Në raportin sezonal të publikuar më 21 prill, WMO bën të ditur se ekziston një probabilitet i lartë që El Ninjo të zhvillohet gjatë periudhës maj–korrik, me mundësi që të jetë edhe i fortë. Ky fenomen është pjesë e ciklit natyror ENSO dhe karakterizohet nga ngrohja e sipërfaqes së Oqeanit Paqësor, duke ndikuar në mënyrë të ndjeshme në modelet globale të motit.
Ekspertët theksojnë se El Ninjo lidhet shpesh me rritje të temperaturave, thatësira, përmbytje dhe ngjarje ekstreme klimatike në rajone të ndryshme të botës. Fenomeni i fundit, i cili zgjati nga maji 2023 deri në mars 2024, kontribuoi që viti 2024 të regjistrohej si më i nxehti në histori.
Për Ballkanin, rikthimi i El Ninjës zakonisht nënkupton valë më të gjata dhe intensive të të nxehtit gjatë verës, mungesë të reshjeve të vazhdueshme dhe periudha të shkurtra me stuhi të forta.
Megjithatë, ekspertët sqarojnë se, përveç El Ninjës, në kushtet e motit ndikojnë edhe faktorë të tjerë si sistemet lokale dhe masat ajrore, ndaj parashikimet mbeten pjesërisht të pasigurta.
Një raport i përditësuar mbi zhvillimin e këtij fenomeni pritet të publikohet në fund të muajit maj.