Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është lansuar shërbimi digjital për regjistrimin e të porsalindurve, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të shërbimeve shëndetësore dhe administrative në vend.
Sipas njoftimit të QKUK-së, sistemi i ri u mundëson prindërve që të kryejnë regjistrimin e foshnjës drejtpërdrejt në këtë institucion, pa pasur nevojë për procedura shtesë apo paraqitje fizike në institucione të tjera. Të dhënat transmetohen automatikisht te institucionet përkatëse, duke reduktuar ndjeshëm ngarkesën administrative.
Shërbimi përfshin regjistrimin në sistemin shëndetësor, aplikimin për shtesa për lehonën dhe fëmijën, regjistrimin e vaksinimit, hapjen e llogarive në platformën eKosova, si dhe njoftimin elektronik të institucioneve.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, e cilësoi këtë si një hap konkret drejt digjitalizimit dhe lehtësimit të procedurave për prindërit, duke falënderuar njëkohësisht partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen.
Ky shërbim është zbatuar fillimisht si pilot-projekt në spitalet e Gjilanit dhe Ferizajt, ndërsa pas QKUK-së pritet të shtrihet në të gjitha maternitetet në Kosovë.