Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka miratuar kornizat e Programit Vjetor për vitin 2026, me një buxhet prej 77.5 milionë euro për mbështetjen e sektorit bujqësor në Kosovë.
Programi i pagesave direkte është strukturuar sipas sektorëve strategjikë dhe zinxhirëve agro-ushqimorë, në përputhje me metodologjinë e Bashkimit Evropian. Ai përfshin pagesën bazë, mbështetjen e lidhur me prodhimin, masat për stabilizimin e tregut, pagesën rishpërndarëse për hektarin e parë dhe eko-skema.
Mbështetja përfshin një gamë të gjerë sektorësh, nga drithërat si gruri dhe misri, te kulturat proteinike dhe industriale, perimet, pemëtaria, vreshtaria, si dhe blegtoria dhe bletaria. Synimi kryesor është rritja e prodhimit vendor, forcimi i sigurisë ushqimore, zhvillimi rural i qëndrueshëm dhe rritja e eksporteve agro-ushqimore.
Sipas Ministrisë, këto orientime janë indikative dhe mund të rishikohen gjatë procesit të finalizimit, në varësi të konsultimeve dhe numrit të aplikuesve.