Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Shqipëria renditet ndër vendet europiane ku emigracioni pritet të ndikojë më tej në rënien e popullsisë, për shkak të largimit të personave në moshë riprodhuese. Vlerësimi vjen nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin në raportin “World Migration Report 2026”.
Sipas raportit, Europa ka përjetuar rënie të ndjeshme të popullsisë gjatë periudhës 2005–2024, e ndikuar si nga normat e ulëta të lindshmërisë, ashtu edhe nga emigracioni. Shqipëria përmendet së bashku me Lituaninë, Moldavinë dhe Bosnjë-Hercegovinën si vend me fertilitet nën nivelin e zëvendësimit.
Emigrimi i të rinjve po shihet si një faktor kyç që përshpejton këtë trend, duke reduktuar numrin e lindjeve që do të ndodhnin në vend.
Të dhënat e Eurostat tregojnë se vetëm në vitin 2024, rreth 48.2 mijë shtetas shqiptarë fituan shtetësi në një nga vendet e Bashkimit Europian, ndërsa 62% e emigrantëve të rinj janë nën moshën 35 vjeç.
Ndikimi i emigracionit reflektohet edhe në lindshmëri. Sipas INSTAT, numri i lindjeve në Shqipëri ka rënë me 35% gjatë periudhës 2015–2025, ndërsa numri i grave në moshë riprodhuese (20–34 vjeç) është tkurrur me 32%.
Në vitin e fundit u regjistruan 21,425 lindje, rreth 8% më pak se një vit më parë, duke konfirmuar trendin në rënie të popullsisë dhe sfidat demografike në vijim.