Propozim-ndryshimi i Rregullores për tarifa, ngarkesa dhe gjoba në Komunën e Prishtinës ka nxitur reagime nga bizneset dhe profesionet e lira.
Avokatët kanë shprehur shqetësime lidhur me tarifat e reja, duke kërkuar që ato të jenë të studiuara mirë, proporcionale dhe në përputhje me parimet e barazisë dhe sigurisë juridike. Sipas tyre, në përcaktimin e taksave duhet të merren parasysh edhe kushtet ekonomike në të cilat operojnë profesionet e lira.
Nga Komuna e Prishtinës kanë bërë të ditur se vërejtjet e pranuara janë duke u shqyrtuar dhe se avokatët nuk pritet të preken nga tarifat e propozuara.
Sipas zyrtarëve komunalë, qëllimi i rregullores është krijimi i një sistemi më të qartë, më transparent dhe më të drejtë të tarifave komunale. Dokumenti do të mbetet në konsultim publik deri më 24 qershor.