Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Vala e të nxehtit që ka përfshirë Gjermaninë është shoqëruar me një bilanc tragjik. Të paktën 26 persona kanë humbur jetën gjatë fundjavës në liqene dhe lumenj, ndërsa autoritetet paralajmërojnë për rritje të ndjeshme të aksidenteve gjatë notit.
Sipas Shoqatës Gjermane të Shpëtimit në Ujë (DLRG), viktimat e fundjavës ishin të gjithë burra dhe djem. Organizata thekson se edhe gjatë vitit 2025 rreth 82 për qind e personave të mbytur në Gjermani ishin meshkuj.
Zëdhënësi i DLRG-së, Martin Holzhause, shpjegoi se burrat priren të marrin më shumë rreziqe dhe shpesh nënvlerësojnë rrezikun në ujë.
"Meshkujt në përgjithësi janë më të prirur të marrin rreziqe. Ata shpesh i nënvlerësojnë ose i injorojnë rreziqet. Të rinjtë mbivlerësojnë aftësitë e tyre, ndërsa tek burrat më të moshuar shtohen edhe problemet kardiovaskulare", tha ai.
Një nga rastet më tragjike u regjistrua në liqenin Eixer, pranë qytetit Peine në Saksoninë e Poshtme, ku një 17-vjeçar, i raportuar i zhdukur që nga pasditja e së dielës, u gjet pa shenja jete pas një operacioni të gjerë kërkimi. Në aksion morën pjesë zhytës, qen kërkimi dhe një helikopter i policisë. Autoritetet po hetojnë rrethanat e vdekjes së tij.
Ndërkohë, në Berlin vazhdon kërkimi për një notar të zhdukur në lumin Spree-Oder. Sipas policisë, tre burra u futën në ujë nga një varkë me pedale të marrë me qira, por vetëm dy prej tyre dolën në breg. Kërkimet me zhytës u ndërprenë përkohësisht gjatë natës dhe rifilluan të hënën në mëngjes.
Edhe në digën Pöhl, në landin e Saksonisë, ekipet e shpëtimit po kërkojnë dy burra, 28 dhe 41 vjeç, të cilët dyshohet se u morën nga rryma pasi hynë në ujë nga një varkë me pedale. Në operacion po përdoren zhytës të policisë, sonarë, dron nënujor dhe qen kërkimi.
Vetëm në Berlin, gjatë fundjavës u regjistruan tre viktima nga mbytja, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal gjatë temperaturave të larta dhe të shmangin notin në zona të rrezikshme ose pa mbikëqyrje.