Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Tre persona humbën jetën vetëm gjatë një dite në aksidente të ndryshme trafiku në Kosovë, duke rikthyer shqetësimet për sigurinë në rrugë.
Një 17-vjeçar u godit për vdekje nga një veturë në rrugën Ferizaj–Prishtinë, ndërsa dy persona të tjerë humbën jetën në aksidente në Llukar të Prishtinës dhe në Istog.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë periudhës janar–gusht 2026 janë regjistruar 72 aksidente fatale, ndërsa 77 persona kanë humbur jetën në këto raste.
Edhe aksidentet ku janë përfshirë mjete me dy rrota mbeten shqetësuese. Në tetë muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 541 aksidente me mjete të tilla, prej të cilave 14 kanë përfunduar me fatalitet.
Eksperti i komunikacionit, Naser Lajqi, ka thënë se rritja e aksidenteve lidhet kryesisht me faktorin njeri dhe problemet me infrastrukturën rrugore.
Ai ka bërë thirrje për respektim më të madh të rregullave të trafikut dhe kujdes të shtuar nga të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.
Policia e Kosovës ka njoftuar se vazhdon me masa ndëshkuese dhe fushata vetëdijësuese për rritjen e sigurisë në rrugë, veçanërisht për drejtuesit e motoçikletave dhe mjeteve të tjera me dy rrota.