Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Prishtina në triumfin e librit me Kadarenë si zë i shqiptarëve në botë

Kulturë  |  07.06.2023 Ora 10:32   

Konstatimi “Libri triumfon” është motoja e Panairit të Librit në Prishtinë, që vjen si konstatim i prerë. Në Pallatin e Rinisë dhe Sportit duket sikur kjo konfirmohet, së paku në ceremoninë e hapjes së edicionit të 23-të, të martën. Aty ka qenë edhe i madhi Ismail Kadare. Për triumfin ka folur edhe ai. Ne shqiptarët për fat të keq disa herë e kemi neglizhuar, por pastaj jemi kujtuar, i jemi rikthyer (librit). Unë shpresoj që do t’i rikthehemi më mirë, më fort, më bukur në të ardhmen”, ka thënë Kadare, i ftuar nderi i edicionit të sivjetmë që vjen me mbi 100 shtëpi botuese nga hapësirat shqiptare e me dy mijë tituj të rinj.

Ka kohë që u shmanget paraqitjeve të shpeshta publike. Si çdo shkrimtar me nam të madh, komunikimin me publikun e ka nëpërmjet veprave.
 

Por Ismail Kadare i është kthyer Prishtinës në një ditë të veçantë. Si i ftuar i nderit, ka marrë pjesë në hapjen e edicionit të sivjetmë të Panairit të Librit në kryeqytet. Duartrokitjet e të pranishmëve në mesditën e së hënës qenë sinjal se Kadare – i cili sivjet mbushur 87 vjet – po i bashkohet ceremonisë së hapjes së ekspozitës së librit. Në Prishtinë nga “Rilindja” i ishte botuar kompleti i parë i veprave të tij të deriatëhershme më 1973.

E kësaj radhe, bashkë me Kadarenë në Prishtinë ka ardhur edhe kompleti shtatëvëllimësh që rrumbullakon shtatë dekada krijimtari të autorit.

 

Shpresa e Kadaresë për rikthimin e librit

Ngjarja më e madhe librit në edicionin e 23-të me temën “Libri triumfon” është hapur pikërisht me folës të parë Ismail Kadarenë. Ka folur edhe për rikthimin e vëmendjes te libri.

“Më vjen mirë që ndodhem pranë jush në këtë ditë kaq të bukur, kaq frymëzuese, kaq të paharrueshme, që është dita e librit. Çdo populli kjo i bën një nder të madh. Ne shqiptarët për fat të keq disa herë e kemi neglizhuar, por pastaj jemi kujtuar, i jemi rikthyer. Unë shpresoj që do t’i rikthehemi më mirë më fort, më bukur në të ardhmen. Ju falënderoj për këtë pritje tejet të gëzueshme tuajën”, ka thënë ai.

Më pas ka qëndruar për një kohë te shtandi i “Onufrit” që boton veprat e tij dhe ka nënshkruar libra për lexuesit. Të parin, për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
 

Image
“Më vjen mirë që ndodhem pranë jush në këtë ditë kaq të bukur, kaq frymëzuese, kaq të paharrueshme që është dita e librit. Çdo populli kjo i bën një nder të madh”, ka thënë shkrimtari Ismail Kadare, të martën në ceremoninë e hapjes së Panairit të Librit në Prishtinë
 

Kurti: Kadaresë i kemi borxh sa s’thuhet
 

E vetë kryeministri Kurti, Kadarenë e ka përshkruar si shkrimtarin më të madh të gjallë në botë. Praninë e Kadaresë e ka cilësuar si nderim e gëzim të pafund.
 

“Më duhet të them që të gjithë ne jemi rritur me të, që do të thotë se vetëdija jonë për veten si komb shqiptar është në masë të konsiderueshme e formësuar nga romanet dhe nga poezia e Ismail Kadaresë. Ne atij i jemi borxh sa s’thuhet”, ka thënë ai. Në stilin e tij të fjalimeve, ku prek detaje të çështjeve për të cilat flet, ka thënë se çdo vit e lexon “Përbindëshin”, “Kronikë në gur”, “Aksidentin” dhe “Pallatin e ëndrrave”. Ka thënë se i lexon një herë në vit, në mënyrë që të mos i marrë në dorë për çdo javë. Panairin e ka përshkruar si një festival të librit e qytezë, por edhe si një shoqëri të hapur e mendje të hapur.
 

“Qeveria e jonë ka ristrukturuar tërësisht qasjen ndaj zhvillimit të librit. Kemi gjashtëfishuar buxhetin për librin, nga 160 mijë euro, në një milion euro. Nga mbështetja vetëm për letërsi dhe veç për shtëpi botuese, sot mbështesim të gjitha gjinitë letrare dhe autorin e pavarur drejtpërdrejt”, ka thënë ai. Duke iu referuar temës së sivjetme, ka thënë se sigurisht që libri do të triumfojë.

Konjufca: Kadare ishte zëri kolektiv, libri është i pashterueshëm
 

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se libri është institucion i gjuhës, të shprehurit dhe rrëfimit dhe si i tillë është formë bazike e konstitucionit human. Sipas tij, libri është mishërim i idesë dhe për rrjedhojë është i pashterueshëm.
 

“Kjo është arsyeja pse njerëzit janë mbledhur në të shkuarën dhe do të takohen gjithmonë edhe në të ardhmen për të festuar librin, siç po bëjmë ne sot”, ka thënë Konjufca. Sipas tij, Kadare letërsisë shqipe ia siguroi një vend të pavdekshëm në atë që vetë e quan letërsia universale.
 

“Ismail Kadare gjithnjë ka qenë dhe është forcë gjigande e ngritjes së vetëdijes botërore për gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare. Ai për Kosovën bëri gjithçka që mund të bënte një intelektual i përmasave planetare. Kosovës i kushtoi edhe vepra dhe e kërkoi me ngulm lirinë tonë. Ishte zëri ynë kolektiv kudo që shkoi, në çdo intervistë, në çdo paraqitje, në secilin takim me figurat e rëndësishme politike të kohës”, ka thënë kryeparlamentari Konjufca. Në fjalën e tij ka bërë disa përshkrime filozofike për letërsinë e librin. Ka folur edhe për sensibilizimin që Kadare bëri në politikën ndërkombëtare për burgosjen e Ukshin Hotit.
 

“Për shkak të kontributit të tij për kulturën dhe letërsinë në planin kombëtar, por edhe atë universal, si dhe për punën e tij të palodhshme për lirinë e Kosovës dhe për emancipimin e kombit shqiptar, Ismail Kadare është ngritur në simbolin më të lartë e kuptimplotë për popullin tonë”, ka thënë Konjufca.
 

Pas tij shkrimtarja për fëmijë, Dritë Ruhani, ka thënë se leximi duhet të bëhet shprehi qysh prej fëmijërisë. Sipas saj, nëse fëmijët nuk lexojnë, atëherë shoqëria e ka të rrezikuar të ardhmen.
 

“Dihet se po nuk i kemi lexuesit e vegjël , nuk do t’i kemi as lexuesit e rritur, kurse ne kemi nevojë për një popull që lexon”, ka thënë ajo.
 

Në fund të ceremonisë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se prej të martës nis udhëtimi i ri i fjalëve, i imagjinatës dhe i njohurive. Sipas tij, është privilegj që ngjarja është nderuar edhe me praninë e Ismail Kadaresë. Ka thënë se Kadare shpesh prezantohet si shkrimtar shqiptar me famë ndërkombëtare. Ka thënë se duhet bërë një tjetër përshkrim.
 

“Është më mirë ta prezantojmë si shkrimtar ndërkombëtar që për fatin tonë është shqiptar”, ka thënë ai. Sipas Ramës, sot në epokën digjitale është më se e domosdoshme të ritheksohet nevoja për lexim sidomos te brezat e rinj. Ka bërë thirrje që duhet përshtatur me epokën digjitale, por duke e ruajtur thelbin e fjalës së shkruar

Në emër të organizatorëve, kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, që u është drejtuar të pranishmëve krejt në fillim, ka qenë fjalëpakë. U ka uruar mirëseardhje duke thënë se Kadare bashkë me të tjerët kanë për të thënë shumë më shumë se ai.

Hapësirat brenda Pallatit të Rinisë dhe Sporteve kanë marrë pamjen e ekspozitës së madhe të librit. Qysh pas hapjes është vërejtur një interesim jo i vogël i vizitorëve. Në ditën e parë ka ndikuar edhe prania e Ismail Kadaresë.
 

Kosova e ka nderuar jo rrallë shkrimtarin e lindur në Gjirokastër. Çmimin “Letërsia shqipe” i ishte ndarë më 2017. Në anën tjetër, Kadareja u nderua edhe nga Ferizaj me çmimin “Finesa”, përderisa sheshi afër Teatrit të Qytetit mori emrin e tij. Më 2009, Kadare me “Darka e gabuar” mori në Prishtinë shpërblimin për letërsi “Rexhai Surroi”. E lidhjen me Panairin e Librit e ka qysh prej zanafillës së ngjarjes. Ai kishte qenë i ftuar edhe në nëntorin e vitit 1999 në edicionin e parë bashkë me të ndjerin Dritëro Agolli.
 

Image
Organizatorët derisa kanë folur për shifra, kanë thënë se janë rreth dy mijë tituj të rinj sivjet e gjithsejtë gjashtë mijë tituj që prezantohen në Panairin e Librit në Prishtinë. Presin që deri në fund të vizitohet prej 40 mijë vizitorëve
 

Gjashtë mijë tituj në një vend, pritjet për 40 mijë vizitorë
 

Aktivitet që do të mbahen deri të dielën, kur edhe mbyllet edicioni i sivjetmë janë arsye shtesë për t’u vizituar ambientet e ngjarjes.
 

Organizatorët kanë treguar se bëhet fjalë për 120-vjetorin e lindjes së Ernest Koliqit, 110-vjetorin e lindjes së Petro Markos dhe 100-vjetorin e lindjes së Jakov Xoxës. Po ashtu do të mbahen edhe mbi 40 aktivitete, promovime, nga autorë të pranishëm në panair. Do të bëhet edhe promovimi i vëllimit të fundit të ditarëve të Rexhep Qosjes, një komplet prej nëntë vëllimesh. Janë 80 shtande ku prezantohen 103 shtëpi botuese. Organizatorët derisa kanë folur për shifra, kanë thënë se janë rreth dy mijë tituj të rinj sivjet e gjithsejtë gjashtë mijë tituj që prezantohen. Presin që deri në fund Panairi të vizitohet prej 40 mijë vizitorëve.
 

Ambientet e Panairit pos promovimeve klasike, ofrojnë edhe takime joformale me shkrimtarë, përkthyes, redaktorë e botues. Siç edhe ndodh, fundjava pritet të jetë koha kur numri më i madh i vizitorëve dyndet drejt ambienteve të Panairit.
 

Rritja e interesimit për librin, sipas Shoqatës së Botuesve të Kosovës, është më e madhe nga viti në vit. Këtë e mbështesin në faktin se janë duke u shtuar libraritë e shtëpitë botuese. Në anën tjetër, shteti vazhdon me furnizimin e bibliotekave me libra. Krejt bashkë kanë për qëllim që t’i përshtaten motos së sivjetme: “Libri triumfon”./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing