Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Filharmonia me “Skena Iuvenis” çon në Gjakovë talentet e reja e veprat virtuoze

Kulturë  |  08.04.2024 Ora 9:10   
Programi “Skena Iuvenis” është hapësira që ua jep institucioni i muzikës klasike. Veprat virtuoze nga Mozzart, Saint-Saens e Schumann kanë qenë magjia e veprave romantike të cilët e kanë sjellë dirigjenti Pëllumb Vula e flautistja Zanë Abazi bashkë me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës. Është një vazhdimësi e traditë që vit pas viti, në bashkëpunim me Fakultetin e Arteve, të sillen në skenë emra të rinj të muzikës klasike. Aty është imazhi i së ardhmes së këtij zhanri në vend, ndërsa organizimi një tregues për përkushtimin e institucionit muzikor për kuadrot e reja.

Tri vepra të kompozitorëve me nam kanë pasur për drejtues orkestre e solistë muzikantë të rinj në koncertin e së shtunës të Filharmonisë së Kosovës.  Programi “Skena Iuvenis” është hapësira që ua jep institucioni i muzikës klasike. Veprat virtuoze nga Mozzarti, Saint-Saens e Schumann kanë qenë magjia e veprave romantike të cilët e kanë sjellë dirigjenti Pëllumb Vula e flautistja Zanë Abazi, bashkë me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës.

Është një vazhdimësi e traditë që vit pas viti, në bashkëpunim me Fakultetin e Arteve, të sillen në skenë emra të rinj të muzikës klasike. Aty është imazhi i së ardhmes së këtij zhanri në vend, ndërsa organizimi një tregues për përkushtimin e institucionit muzikor për kuadrot e reja. Të shtunën Filharmonia ka marrë rrugë për në qytetin e Gjakovës, ku e ka avancuar edhe njërin program të tij, atë që njihet si “Filharmonia në lëvizje”. Bashkë me koncertin “Skena Iuvenis”, ka përthekuar dy programet e saj në një mbrëmje.

Tingujt e kryeveprave botërore kanë bërë jehonë në shtëpinë e kulturës “Asim Vokshi”. Uvertura e operës “Cosi fan tutte” nga austriaku Wolfgang Amadeus Mozart, ka qenë i pari takim i publikut me tingujt e muzikës klasike në koncertin e së shtunës.
Në hapje ka një hyrje të shkurtër dhe të ngadaltë. Uvertura e shkruar për dy flaute, dy obo, dy klarineta, dy brirë, dy bori, tupan dhe instrumente me tela, krijon një lloj imazh për komplotin e operës “Cosi fan tutte”, një nga kryeveprat e Mozart që ishte dhënë premierë më 1790. Ajo është kryesisht një lojë kontraste dhe harmonike.

Kapitull më vete ka qenë “Odelette” për flaut dhe orkestër nga kompozitori francez Camille Saint Saens. Melodike e virtuoze. Flauti është në qendër. Sa i përket orkestrës, harkorët marrin primatin duke komunikuar mahnitshëm me gjuhë muzikore. Flauti e kamuflonte tensionin e këtyre të fundit. Një ndërrim i pozicioneve vjen kur instrumenti solo ndërton ngjarje dramatike me ritme dinamike.

Flautistja Zanë Abazi ka thënë se vepra është shumë kërkuese për nga pjesa muzikale e stilistike.

“Për mua ka qenë hera e parë që e kam interpretuar këtë vepër. Ka qenë ndjenjë shumë e veçantë dhe si vepër nuk është shumë kërkuese në pjesën teknike dhe i lë hapësirë shumë instrumentistit të bëjë muzikë’, ka thënë Abazi, e cila ka interpretuar si soliste me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës.

Është e ditur se Filharmonia e Kosovës në çdo koncert sjell vepra të reja tejet atraktive në program. “Odelette” bashkë me overturën e operës “Cosi fan tutte” janë sjellë premierë nga institucioni shtetëror i muzikës klasike.

Koncerti me titull “Skena Iuvenis” ka provuar talentin edhe me Simfoninë e katërt të kompozitorit gjerman Robert Schumann. Kjo vepër ka qenë kontrasti me pjesën tjetër të programit si vepër shumë më serioze.

Ajo nis me një tingull të gjatë të instrumenteve. Meloditë rrjedhin ndërmjet harmonisë e dhe tensioneve të shpejta në “Andante con moto – alegro di molto”. Melodia melankolike është në “Romanza: andante”. Pas një pauze të shkurtër, melodia konstante vjen në kohën “Scherzo: presto”, por gradualisht shpërbëhet. Është një lloj vajtimi e mbuluar me një shtresë melankolie. Në “Largo – Finale: alegro vivace”, simfonia prezantohet si pjesë madhështore solemne. Ngjan se aty është tema heroike.

Në përgjithësi, Simfonia e katërt e Schumannit mund të ketë zhvillime prej më të ndryshmeve, por është një seri e tingujve që e identifikon dhe e përcjell krejt kohën. Janë tinguj me ritëm të shpejtë me ton dinamik. Filharmonia e kishte sjellë këtë vepër në koncertin në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë në kuadër të Javës së Frankofonisë në Kosovë. Orkestra e kishte interpretuar këtë vepër nën udhëheqjen e dirigjentit francez, Aurélien Azan Zielinski.

Dirigjenti Pëllumb Vula, e ka vlerësuar veprën si pjesën më sfiduese të koncertit.

“Pjesa kryesore dhe më e vështira ka qenë kjo Simfoni. Si për nga forma, por edhe për nga orkestrimi dhe të gjitha elementet e tjera. Është një vepër që duket sikur një fantazi që vazhdon njëra pas tjetrës. Ka vështirësinë e vet, sepse edhe instrumentistët nuk i lejon të pushojnë. Por besoj se doli mirë”, ka thënë Vula.

Programi i koncertit ka qenë literatura që e kishte përgatitur në kuadër të studimeve. Ka thënë se kërkon shumë punë për t’i vënë në skenë.

“Është një program të cilin unë e kam punuar për gati një vit në kuadër të masterit në drejtimin e Dirigjimit. Janë vepra të vështira realisht, kërkojnë shumë punë, por që Filharmonia e Kosovës ka reaguar jashtëzakonisht mirë dhe  jam shumë i kënaqur me ta”, ka thënë dirigjenti Pëllumb Vula, i cili ka drejtuar Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës për herë të parë.

“Për mua është bashkëpunimi i parë në kuadër të Filharmonisë së Kosovës, ndërsa me shumë prej instrumentistëve kemi bashkëpunuar edhe në koncerte të tjera. Janë instrumentistë me shumë përvojë dhe u jam shumë falënderues për punën që e kanë bërë me mua. Ka qenë eksperiencë e jashtëzakonshme, provat kanë shkuar mirë, sikurse edhe koncerti”, ka thënë ai.
Në Gjakovë ka qenë i pari koncert për këtë vit në një qytet jashtë Prishtinës. Menaxheri i Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se koncertet e tjera në kuadër të programit “Filharmonia në lëvizje” do të jenë në pjesën e dytë të vitit.

“Muaji tetor dhe nëntor ka të rezervuara tetë data ku formacione të ndryshme të Filharmonisë do të koncertojnë nëpër qytete të Kosovës në disa prej komunave ku kemi qenë prezentë në të kaluarën, por do të ketë edhe komuna në të cilat nuk kemi interpretuar më parë”, ka thënë Selimaj duke bërë të ditur se fokusi i Filharmonisë do të jetë në implementimin e programit artistik në kryeqytet në kuadër të organizimeve që shënojnë 25-vjetorin e çlirimit të vendit.

Sipas Selimajt, “Skena Iuvenis” është një mënyrë për të stimuluar talentet e tij që janë në zhvillim të karrierës së tyre në muzikë klasike.

“E kemi titulluar ‘Skena Iuvenis’ si koncert tradicional që u dedikohet muzikantëve të rinj ose atyre që nuk kanë pasur mundësinë të prezantohen me orkestrën simfonike të Filharmonisë së Kosovës në këtë rast me dirigjentin Pëllumb Vula dhe solisten Zana Abazi. Është program që Filharmonia e mban prej shumë vjetësh në kuadër të sezonit të saj për të stimuluar talentet e rinj, por edhe muzikantët që kanë në zhvillim e sipër për të pasur mundësi të luajnë me ansambël të madh”, ka thënë Dardan Selimaj, organizator i Filharmonisë së Kosovës.

Institucioni më i lartë i muzikës i është kthyer Gjakovës pas një viti. Pikërisht në kuadër të programit “Skena Iuvenis”, ku si solist ishte paraqitur klarinetisti Ardit Ibrahimi, i cili kishte interpretuar “Koncert për klarinetë nr.1” nga Carl Maria von Weber. Koncerti ishte drejtuar nga Lirjona Sylejmani.  

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës më 27 prill në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit vjen me koncertin e radhës nën drejtimin e dirigjentit skocezo-italian, Dario Salvi.
 

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing