Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Kori i Filharmonisë hap sezonin me dëshminë e fuqisë së zërit

Kulturë  |  14.09.2023 Ora 9:27   
Që në momentin e parë, në hyrje të kishës katolike “Shën Ndou” në Prishtinë, hapen dyert e një bote tjetër. Këtë e bën Kori i Filharmonisë së Kosovës me program të jashtëzakonshëm në koncertin e hapjes së sezonit të ri, 2023/2024.

Dirigjenti e themeluesi i “Siparantumit”, Memli Kelmendi, ka marrë përsipër drejtimin në një udhëtim veprash korale. Ka nisur me “Media Vita” për tenor, kor të përzier dhe daulle. Atmosfera e mrekullueshme me zërat magjikë të koristëve me vepra kontrastesh sollën mozaik tingujsh. Koncerti qe planifikuar kohë më parë edhe për shkak të konferencës ndërkombëtare “Quo Vadis Choral Music”, që do të nisë të enjten në Pejë e ku do të jenë të pranishëm profesionistë të fushës. Të pranishmit e kësaj ngjarjeje të rëndësishme për botën korale në Pejë do të kenë mundësinë të shohin interpretimin e koristëve po me këtë koncert. Me pak ndryshime në program, por me bazë të njëjtë.

Dirigjenti e themeluesi i “Siparantumit”, Memli Kelmendi, ka marrë përsipër drejtimin në një udhëtim veprash korale.

Programi i larmishëm i koncertit në Prishtinë vazhdoi magjinë me vepra si ajo e Johann Sebastian Bach, “Come Sweet Death”, “Before” nga Mendi Nystedt e “Ater Umbra” për bariton dhe kor të përzier nga Memli Kelmendi e me bariton Shaban Behramajn.
“Kori i Filharmonisë e ka hapur sezonin me këtë koncert, i cili është planifikuar gjatë kohë, krejt kjo për shkak të konferencës ndërkombëtare ‘Quo Vadis Choral Music’.
Kemi dashur që për këtë konferencë të sjellim një program atraktiv meqë shumë profesionistë të fushës do të jenë në Pejë. Programi të cilin e dëgjuat sonte në Prishtinë mund ta dëgjoni edhe në Pejë me disa ndryshime të vogla”, ka thënë Dardan Selimaj, menaxher i Filharmonisë së Kosovës. Ndër të tjera, ai ka treguar më shumë rreth sezonit të ri të Filharmonisë së Kosovës që, sipas tij, do të jetë një sezon mjaft i ngjeshur me shumë dirigjentë e instrumentistë të ftuar.

“Mund të themi se sezoni 2023/2024 do të jetë një sezon jashtëzakonisht i ngjeshur me shumë dirigjentë të ftuar me shumë instrumentistë aktualë dhe të cilët do të vijnë në Prishtinë me programe tejet ambicioze për të cilat edhe Kori, edhe Orkestra kanë shumë punë, por unë besoj që ata gjithmonë mobilizohen dhe janë jashtëzakonisht të përgatitur kur vjen dita e koncertit. Në anën tjetër, ky sezon do të ketë një theks të veçantë edhe te programi edukativ, kështu që do të bëjmë shumë koncerte për fëmijë të vegjël dhe adoleshentë”, ka thënë ai.

Puna e gjatë e dirigjentit Memli Kelmendi bashkë me Korin e Filharmonisë së Kosovës u vlerësua edhe nga audienca. Në mesin e publikut koncertin e ka ndjekur edhe Hans Hermann Rehberg, drejtor i korit më të njohur në Gjermani, “Rundfunkchor” të Berlinit.
Ai ka thënë se koncerti i mbajtur të martën mbrëma ishte shumë i fuqishëm e mbi të gjitha shpërfaq të gjithë solistët dhe fuqinë e korit.

“U kënaqa shumë, sepse ishte shumë mirë, shumë fuqishëm dhe tregonte të gjithë solistët e mrekullueshëm të korit dhe fuqinë që e ka ky grup i muzikantëve. U kënaqa vërtet shumë”, ka thënë ai.

Për këtë bashkëpunim vetë dirigjenti Memli Kelmendi u shpreh i lumtur ani pse nuk ishte një punë shumë e gjatë aq sa i duhej një programi të tillë, koloritit që përmbajnë veprat jo të lehta për kor. Ka treguar se secila prej tyre është e ndryshme stilistikisht. Programi, sipas tij, ka qenë mjaft sfidues dhe për këtë ka përmendur disa arsye.

“Çdoherë tendenca ime është me e mbajtë atmosferën time si dirigjent edhe atë që unë e ndiej brenda vetes natyrisht, që nganjëherë është shumë e lehtë, nganjëherë më e vështirë, e unë po besoj që kam arritur ta bëj atë që kam pasur dëshirë ta bëja. Të them të drejtën, nëse do t’i kishim pasur edhe një javë më shumë ndoshta isha ndier edhe më rehat, por mendoj që ka shkuar mirë, ndoshta aty-këtu ka pasur momente ku ka mundur diçka mos të funksiononte mirë, mirëpo ato janë relative, edhe po të kishin qenë provat një vit”, ka thënë ai.

Por, edhe falënderimet e dirigjentit ndaj punës së palodhshme të koristëve dhe gjithë grupit nuk munguan.

“Gjithsesi që dua t’i falënderoj të gjithë të pranishmit sonte, audiencën fantastike, dua t’i falënderoj solistët për kontributin, Visarin, Agronin, Kaltrinën, Etritin, vajzat e të gjithë ata të cilët sonte kanë kontribuuar për me e sjellë këtë koncert sonte në këtë nivel. Po besoj që është pëlqyer. Prej perspektives sime mendoj që kemi realizuar aq sa kemi punuar, ndërsa nga perspektiva e publikut, nga duartrokitjet po duket se është në rregull”, ka thënë ai.

Nuk ka përfunduar me kaq. Ka përmendur edhe bashkëpunimin e parë me Filharmoninë e Kosovës i cili, sipas tij, kishte atmosferë të njëjtë, por bashkëpunimi i dytë ishte stilistikisht më interesant.

“Në fakt nuk është projekti im i parë, është projekti im i dytë, edhe në projektin e parë kam pasur atmosferë të tillë, por po mendoj që projekti i dytë ka qenë stilistikisht më i interesant dhe do të thosha jo i lehtë për shkak se përmban një program jo të lehtë për kor, me faktin se ka stile të ndryshme dhe veprat nuk janë aq të lehta. Gjithsesi konsideroj se është një punë që kemi arritur ta realizojmë me sukses, ta paraqesim me sukses. Jam i kënaqur me punën, jam i kënaqur me atë çka kanë dhënë koristët, jemi munduar të gjithë ta bëjmë më të mirën”, është shprehur Kelmendi.

Përtej kësaj, koncerti e kishte një pikë të veçantë sa i përket programit por edhe si dedikim. Kelmendi gjithë koncertin me veprën e kompozuar nga ai “Me nji lule” ia dedikoi anëtares së Korit të Filharmonisë së Kosovës, Diellza Sylejmani, e cila po kalon një sfidë shëndetësore.

Pika kulmore e krejt koncertit ka qenë “Bohemian Rhapsody”, kënga ikonike e grupit “Queen”. E solli tenori Etrit Nura shoqëruar në piano nga Agron Shujaku dhe audienca nuk mundi t’i ndalte duartrokitjet as edhe për një sekondë të vetme.
Tenori Nura ka thënë se ishte një eksperiencë e mrekullueshme për të.

“Ishte një eksperiencë e mrekullueshme ku isha edhe solist i këngës ‘Bohemian Rahspody’, nga grupi ‘Queen’, që ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme. Po ashtu, edhe programi ishte i mrekullueshëm nga dirigjenti Memli Kelmendi”, ka thënë Nura.
Filharmonia e ka të qartë çfarë synon edhe në këtë sezon. Koncerti i Korit është vetëm fillimi.
 

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing