Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Në zhvillimin më të fundit të përplasjes ligjore mes Blake Lively dhe Justin Baldonit, avokatët e aktores, Esra Hudson dhe Mike Gottlieb, kanë konfirmuar për CNN se Lively synon të dëshmojë personalisht në gjyqin që do të zhvillohet në vitin 2026.
“Kjo është një çështje që lidhet me atë që ndodhi kur zonja Lively ngriti pretendime për ngacmim seksual në set dhe pasojat që erdhën më pas. Sigurisht që ajo do të dëshmojë,” thuhet në deklaratën e përbashkët të avokatëve.
Lively ngriti fillimisht një ankesë pranë Departamentit të të Drejtave Civile të Kalifornisë në dhjetor të vitit të kaluar, e cila u pasua me një padi. Ajo akuzon Baldonin dhe ekipin e tij të PR-it për organizimin e një fushate manipulimi mediatik, gjatë promovimit të filmit “It Ends with Us,” me qëllim dëmtimin e reputacionit të saj.
Avokati i Baldonit, Bryan Freedman, tha për CNN se “e vërteta nuk është shpërqendrim, por është treguar qartë përmes dokumenteve të pandryshuara dhe videove reale.”
Në një ankesë të ndryshuar të paraqitur në shkurt, Lively gjithashtu pretendon se gra të tjera kanë raportuar sjellje të papërshtatshme nga Baldoni në set. Freedman ka mohuar më parë këto akuza, duke i cilësuar si “tërësisht të rreme dhe të dizajnuara për të dëmtuar imazhin e tij në publik.”
Avokati Gottlieb gjithashtu është shprehur se nuk mund të konfirmojë nëse bashkëshorti i Lively-t, Ryan Reynolds, do të dëshmojë, por ka kërkuar largimin e tij si i paditur nga çështja, duke argumentuar se padia ndaj tij është pa bazë ligjore.
Gjyqi është caktuar të fillojë në mars të vitit 2026 dhe palët kanë konfirmuar se nuk kanë ndërmend të arrijnë ndonjë marrëveshje jashtëgjyqësore.