Pas suksesit të jashtëzakonshëm global që nga debutimi i tij në vitin 2021, seriali korean “Squid Game” rikthehet me sezonin e tretë dhe të fundit, i cili u publikua sot, më 27 qershor, në platformën Netflix. Të gjitha gjashtë episodet janë tashmë të disponueshme për shikuesit anembanë botës, duke i dhënë fund një prej sagave më të ndjekura dhe të diskutueshme në historinë e televizionit modern. Ky sezon përmbyll udhëtimin dramatik të protagonistit Seong Gi-hun dhe përballjen e tij përfundimtare me organizatorët e lojës vdekjeprurëse.
Sipas raportimeve të shumta mediatike dhe vetë krijuesit të serialit, ky kapitull përmbyll historinë kryesore të “Squid Game”. Kjo do të thotë se nuk do të ketë një sezon të katërt. “Squid Game” u bë një fenomen global që nga lansimi i tij fillestar në vitin 2021, duke fituar vëmendjen e miliona shikuesve dhe duke ndezur debat të gjerë në rrjetet sociale për pabarazinë sociale, etiken dhe luftën për mbijetesë. Suksesi i menjëhershëm i sezonit të parë e shndërroi serinë në një nga prodhimet më të ndjekura në historinë e Netflix.
Rikujtojmë se dizajnerja që qëndron pas skenografisë së serialit “Squid Game” ka zbuluar se dyshemeja me ngjyrat e ylberit gjatë ‘lojës me gjashtë këmbë’ kishte një kuptim më të thellë. Episodi i katërt i sezonit të dytë paraqet lojtarët të ndarë në ekipe, të lidhur te kyçet e këmbëve dhe të detyruar të luajnë lojëra njëra pas tjetrës. Loja zhvillohej përgjatë një rruge të shënuar me ngjyra ylberi. Rezulton se kjo zgjedhje kishte një kuptim të thellë.
Dyshemeja me ngjyra ylberi në lojën e “Squid Game 2” simbolizonte një mesazh shumë më të thellë, që lidhet me pafajësinë e fëmijërisë dhe kufirin e hollë mes jetës dhe vdekjes. Dizajnerja e produksionit, Chae Kyoung-sun, shpjegoi: “Regjisori sugjeroi krijimin e dy rrethave dhe kjo më bëri të mendoj për kuptimin e ylbereve. Thuhet se rruga për në parajsë është e zbukuruar me ngjyrat e ylberit. Siç e dini, ne i mbështillnim arkivolet si dhurata.