Paris Jackson, vajza e vetme e “Mbretit të Popit” Michael Jackson, ka marrë 65 milionë dollarë përfitime nga pasuria e të atit, sipas dokumenteve të reja gjyqësore të dorëzuara më 9 tetor.
Shifra u bë publike nga ekzekutorët e pasurisë së Michael Jackson, të cilët iu përgjigjën një kërkese të mëparshme të Paris, 27 vjeçe, e cila në qershor kishte shprehur shqetësime për mënyrën si po menaxhoheshin pagesat dhe shpenzimet ligjore të pasurisë.
Në dokumentet e reja gjyqësore të dorëzuara këtë muaj, 27-vjeçarja, vajza e vetme e mbretit të Popit, kundërshton kërkesën e zyrtarëve John Branca dhe John McClain për të paguar shpenzimet e avokatëve të palëve të treta dhe i akuzon ata për “sjellje arrogante”.
Nga ana tjetër, në dokumentet e fundit, ekzekutorët theksojnë se askush nuk ka përfituar më shumë nga menaxhimi i tyre sesa vetë Paris, duke shtuar se falë vendimeve të tyre, pasuria e Michael Jackson është kthyer nga një borxh i madh në një perandori me vlerë mbi 2 miliardë dollarë.
Kujtojmë se Michael Jackson, i cili ndërroi jetë në vitin 2009, la pas tre fëmijë: Prince (28 vjeç), Paris (27) dhe Bigi (23).
As përfaqësuesit e Paris Jackson dhe as ata të pasurisë së këngëtarit nuk kanë komentuar ende për çështjen.