Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Në mesin e debateve të përditshme, një prej më të zakonshmeve është: kur është koha më e mirë për t’u larë – në mëngjes apo në mbrëmje?
Sipas ekspertëve, përgjigjja varet më shumë nga mënyra e jetesës dhe zakonet e pastërtisë, sesa nga ndonjë përfitim shëndetësor i qartë.
Shumë njerëz zgjedhin dushin e mëngjesit për t’u zgjuar dhe ndier më energjikë. Të tjerë e preferojnë në mbrëmje, për të hequr pluhurin dhe ndotjen e ditës para se të flenë.
Sipas mikrobiologes Primrose Freestone nga Universiteti i Leicester-it, dushi në mbrëmje mund të duket më higjienik, por nuk është aq i përsosur sa mendojmë. Edhe gjatë gjumit, trupi djersitet dhe lëshon qindra mijëra qeliza të lëkurës, që shndërrohen në “ushqim” për rriqrat e pluhurit. Nëse çarçafët nuk lahen shpesh, aty mund të grumbullohen baktere, kërpudha dhe alergjenë që ndikojnë në cilësinë e gjumit dhe shëndetin e lëkurës.
Nga ana tjetër, një dush në mëngjes largon bakteret dhe djersën e natës, duke ndihmuar trupin të ndjehet më i pastër dhe më i freskët për gjatë ditës.
Studiuesit gjithashtu kanë vënë re se një dush i ngrohtë në mbrëmje mund të ndihmojë disa njerëz të flenë më lehtë, pasi ndryshimi i temperaturës së trupit sinjalizon organizmin për t’u përgatitur për gjumë.
Megjithatë, ekspertët bien dakord në një pikë: nëse laheni rregullisht, nuk ka shumë rëndësi kur e bëni. Më e rëndësishme është higjiena e shtratit dhe larja e rrobave të gjumit, të cilat ndikojnë më shumë në shëndetin e përgjithshëm sesa ora e dushit.
Pra, qoftë në mëngjes apo në mbrëmje – zgjidhja e duhur është ajo që të bën të ndihesh më mirë në trup dhe në mendje.