Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Johnny Depp pritet të rikthehet fuqishëm në kinemanë hollivudiane me filmin “Ebenezer: A Christmas Carol”, një adaptim i ri i klasikës së Charles Dickens të vitit 1843.
Sipas “Deadline”, Paramount është në fazat përfundimtare të negociatave për projektin që do të drejtohet nga regjisori Ti West, i njohur për filmat horror si X, Pearl dhe MaXXXine.
Edhe pse roli i Depp-it nuk është konfirmuar zyrtarisht, besohet se ai do të luajë Ebenezer Scrooge, personazhin e njohur që përballet me shpirtrat e Krishtlindjeve së Kaluar, së Tanishme dhe të Ardhshme – në një version që këtë herë do të fokusohet më shumë në anën triller dhe të errët të tregimit.
Ky projekt shënon rikthimin më të madh të Depp-it pas gjyqit për shpifje ndaj ish-bashkëshortes Amber Heard, që ai e fitoi në vitin 2022. Prej atëherë, aktori ka punuar kryesisht në projekte më të vogla si filmi francez Jeanne du Barry dhe Modi, që ai vetë e ka drejtuar.
Në kast do të jetë edhe aktorja e nominuar për Oscar, Andrea Riseborough, ndërsa skenari është shkruar nga Nathaniel Halpern (Legion). Filmi do të prodhohet nga Emma Watts, ndërsa producent ekzekutiv do të jetë Stephen Deuters, drejtuesi i kompanisë IN.2 Film, që Depp e themeloi në vitin 2021.
Premiera e “Ebenezer: A Christmas Carol” është planifikuar për 13 nëntor 2026, në një periudhë kur pritet të publikohen edhe disa filma të mëdhenj si The Cat in the Hat, The Hunger Games: Sunrise on the Reaping dhe Narnia: The Magician’s Nephew.