Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Dështimi për formimin e Qeverisë edhe për herë të dytë dhe shkuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme, pa ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me Bashkimin Evropian dhe Bankën Botërore, po rrezikon që Kosova të humbasë rreth 200 milionë euro.
Blendi Hasaj, drejtor në Institutin GAP, ka paralajmëruar se vonesat në nisjen e zbatimit të këtyre kredive mund të shkaktojnë humbje serioze, veçanërisht nëse themelimi i institucioneve vonohet edhe pas zgjedhjeve të paralajmëruara për dhjetor. Sipas tij, mosratifikimi i marrëveshjeve me BE-në për Planin e Rritjes po pamundëson arkëtimin e parapagesës dhe disbursimin e këstit të parë, duke humbur një mundësi të rëndësishme për rikthimin e besimit të qytetarëve dhe Bashkimit Evropian.
Kosova pritet të hyjë në vitin 2026 pa miratim të buxhetit. Sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, në rast se zgjedhjet mbahen në dhjetor, mund të bëhet zgjatja buxhetore për dy muajt e parë të vitit të ardhshëm, bazuar në buxhetin e vitit paraprak. Zgjatja për muajin mars do të kërkojë aprovimin e Kuvendit.
Profesori i ekonomisë, Berim Ramosaj, thekson se Kuvendi mund të shmangë kolapsin financiar duke miratuar financim të përkohshëm për tre muajt e parë të vitit, edhe pa qeveri të formuar. Ai thekson se kjo nuk është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.
Tash, vendimi mbetet në dorë të presidentes, Vjosa Osmani, nëse do të kërkojë nga deputetët të miratojnë zgjatjen e buxhetit. Nëse deri në mars nuk themelohen institucionet e reja, arka e shtetit do të bllokohet, duke rrezikuar pagat për shërbyesit publikë, pensionet, asistencën sociale, furnizimin me barna dhe funksionimin e organeve të rendit dhe sigurisë.