Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Gjatë vitit 2025, në Kosovë janë regjistruar 19 raste fatale në vendin e punës, ku 11 prej tyre kanë ndodhur në sektorin e ndërtimtarisë, i cili vazhdon të konsiderohet ndër më të rrezikshmit për punëtorët.
Pavarësisht përpjekjeve për përmirësimin e kushteve, Inspektorati Qendror i Punës ka konstatuar mungesë të theksuar të masave të sigurisë dhe mosrespektim të obligimeve ligjore në shumë vendpunishte, veçanërisht në ndërtimtari.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të këtij institucioni, Vesel Zhinipotoku, ka bërë të ditur se gjatë inspektimeve janë evidentuar shkelje të shumta, ndërsa ndaj subjekteve janë shqiptuar gjithsej 1,747 masa ndëshkimore gjatë vitit 2025.
Sipas Sindikatës së Punëtorëve Teknikë dhe atyre të sektorit privat, në tetë vitet e fundit mbi 160 persona kanë humbur jetën në vendin e punës, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë dhe kushtet e punës.
Ndërkohë, përveç sektorit të ndërtimtarisë, si të rrezikuar konsiderohen edhe punëtorët në industri të tjera, përfshirë Korporatën Energjetike të Kosovës, për shkak të natyrës së punës.
Nga ana tjetër, përfaqësues të kompanive ndërtimore kanë deklaruar se kushtet e punës dhe pagat kanë shënuar përmirësim në vitet e fundit, megjithatë sfidat në siguri mbeten të pranishme.