Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Aktorja Q’orianka Kilcher ka ngritur padi ligjore kundër regjisorit James Cameron dhe kompanisë The Walt Disney Company, duke pretenduar se pamja e saj është përdorur pa leje në krijimin e personazhit Neytiri në franshizën Avatar.
Sipas dokumenteve të siguruara nga NBC News, Kilcher pretendon se ekipi i dizajnit të Cameron ka përdorur tiparet e saj të fytyrës që kur ajo ishte 14 vjeç, gjatë rolit në filmin The New World (2005), ku ajo interpretonte Pocahontas.
Në padi thuhet se Cameron ka përmendur më herët Kilcher si frymëzim për pamjen e Neytirit, por aktorja nuk ka marrë kompensim dhe as nuk ka dhënë pëlqim për këtë përdorim.
Ajo e akuzon regjisorin për përdorim të “identitetit biometrik dhe trashëgimisë kulturore të një vajze indigjene”, duke argumentuar se një film që promovon ndjeshmëri ndaj komuniteteve indigjene është ndërtuar, sipas saj, mbi përdorim të paautorizuar të një personi real.
Kilcher pretendon gjithashtu se përdorimi i imazhit të saj si e mitur dhe përfshirja e elementeve të personazhit në skena të ndjeshme në film përbën shkelje ligjore sipas rregullave të Kalifornisë për përmbajtje digjitale.
Sipas padisë, Kilcher nuk ishte në dijeni të përdorimit të imazhit të saj deri pas takimit me Cameron në vitin 2010, kur ai i kishte dhuruar një skicë të personazhit Neytiri me një shënim ku përmendej se ajo kishte qenë frymëzim për dizajnin.
Ajo kërkon llogaridhënie, kompensim financiar dhe transparencë publike për rastin. Deri më tani, as Cameron dhe as Disney nuk kanë reaguar zyrtarisht.
James Cameron është regjisori i një prej franshizave më të suksesshme në histori, ndërsa Avatar mbetet ndër filmat më fitimprurës globalisht.