Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Edhe pse kruarja e një pickimi insekti apo një skuqjeje sjell lehtësim të menjëhershëm, studiuesit paralajmërojnë se ajo mund ta përkeqësojë ndjeshëm inflamacionin dhe ta zgjasë procesin e shërimit.
Prej vitesh mjekët kanë këshilluar që pickimet e insekteve dhe skuqjet në lëkurë të mos kruhen, por tani një studim i ri ka shpjeguar edhe arsyen biologjike që fshihet pas këtij rekomandimi.
Shkencëtarët zbuluan se kruarja aktivizon një reaksion zinxhir në sistemin imunitar, duke nxitur grumbullimin e më shumë qelizave inflamatore në zonën e prekur. Si rezultat, skuqja, ënjtja dhe kruajtja bëhen edhe më intensive.
Për të arritur në këtë përfundim, ekipi i dermatologut Daniel Kaplan nga Universiteti i Pitsburgut zhvilloi eksperimente me minj, të cilëve u shkaktuan reaksione alergjike në lëkurë. Një pjesë e tyre u penguan të kruheshin duke përdorur jakat mbrojtëse veterinare, të njohura si "konet e turpit".
Rezultatet treguan se minjtë që nuk mund ta kruanin zonën e irrituar kishin dukshëm më pak ënjtje dhe më pak qeliza inflamatore krahasuar me ata që kruheshin vazhdimisht.
Sipas Kaplanit, kjo shpjegon edhe përvojën e përditshme të njerëzve.
"Nëse e lini të qetë një pickim mushkonje, kruajtja zakonisht largohet brenda pesë deri në dhjetë minuta. Por nëse filloni ta kruani, ai mund t'ju shqetësojë për ditë të tëra", tha ai.
Studiuesit zbuluan gjithashtu se gjatë kruarjes aktivizohen qelizat mastocite, të cilat janë ndër mbrojtësit e parë të organizmit kundër mikrobeve dhe toksinave. Megjithatë, këto qeliza çlirojnë edhe histaminë dhe substanca të tjera që rrisin inflamacionin dhe e bëjnë kruajtjen edhe më të fortë.
Një tjetër rol të rëndësishëm luan edhe një lajmëtar kimik i quajtur substanca P, i cili çlirohet nga nervat kur kruarja shndërrohet në dhimbje. Ky mekanizëm aktivizon më tej qelizat mastocite, duke krijuar një cikël të vazhdueshëm kruarje–inflamacion.
Shkencëtarët besojnë se refleksi për t'u kruar është zhvilluar gjatë evolucionit, pasi mund të ndihmojë organizmin të largojë mikrobet ose parazitët nga sipërfaqja e lëkurës. Megjithatë, në rastet e pickimeve të insekteve ose reaksioneve alergjike, kruarja e tepërt sjell më shumë dëm sesa dobi.
Ekspertët këshillojnë që, në vend të kruarjes, zona e irrituar të ftohet me kompresa të ftohta ose të trajtohet me kremra apo medikamente kundër kruajtjes, për të shmangur përkeqësimin e simptomave dhe dëmtimin e lëkurës.