Qeveria e Indisë ka urdhëruar kompaninë Meta që të ndalojë menjëherë reklamat dhe përmbajtjet në Instagram që promovojnë ose lehtësojnë material me abuzim seksual ndaj fëmijëve.
Vendimi vjen pas një hetimi të BBC Eye, i cili zbuloi se në Instagram në Indi janë shfaqur reklama të paguara që lidhen me këtë lloj përmbajtjeje.
Autoritetet indiane kanë kërkuar gjithashtu nga Meta që brenda shtatë ditëve të japë shpjegime se si është lejuar publikimi i këtyre reklamave në platformë.
Nga ana e saj, Meta ka deklaruar se ka politikë “zero tolerancë” ndaj çdo forme të shfrytëzimit seksual të fëmijëve dhe se po forcon vazhdimisht sistemet për zbulimin dhe bllokimin e përmbajtjeve të tilla.