Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

Emisioni i mengjesit


Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 07:30 - 09:30

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Kriza demografike po zbraz Ballkanin Perëndimor, Kosova humbi mbi 17 mijë banorë në një vit

Vendi  |  09.09.2026 Ora 7:48   

Kriza demografike po shndërrohet në një nga sfidat më të mëdha afatgjata për Ballkanin Perëndimor. Rajoni po humb veçanërisht të rinjtë, personat e arsimuar dhe fuqinë punëtore, duke rrezikuar rritjen ekonomike dhe sistemet sociale.

Sipas analizës “Vrasësi i heshtur i Ballkanit Perëndimor: Rënia demografike dhe humbja e kapitalit njerëzor”, të publikuar nga Instituti Hungarez i Çështjeve Ndërkombëtare, shkaqet kryesore lidhen me emigracionin, rënien e lindjeve, korrupsionin, mungesën e besimit në institucione dhe mundësitë e kufizuara ekonomike.

Kosova, ndonëse ka popullsinë më të re në rajon, nuk ka arritur t’i shpëtojë kësaj tendence. Sipas regjistrimit të vitit 2024, Kosova kishte rreth 1.59 milionë banorë.

Gjatë atij viti, vendi kishte një shtesë natyrore prej 10,888 personash. Megjithatë, 37,451 persona u larguan nga Kosova, ndërsa 9,038 u kthyen apo hynë në vend. Si rezultat, bilanci negativ migrator prej 28,413 personash e tejkaloi shtesën natyrore dhe popullsia rezidente u tkurr me 17,525 banorë brenda një viti.

Situata është e ngjashme edhe në vendet e tjera të rajonit. Serbia humbi 437,205 banorë nga rënia natyrore gjatë periudhës 2015–2024, ndërsa Bosnje-Hercegovina regjistroi 10,386 më shumë vdekje se lindje vetëm në vitin 2024.

Në Shqipëri, popullsia u tkurr me 1.2 për qind në vitin 2024, ndërsa Maqedonia e Veriut humbi rreth 5 për qind të popullsisë gjatë dekadës 2014–2024.

Sipas analizës, emigracioni nuk lidhet vetëm me pagat më të larta jashtë vendit. Të rinjtë largohen edhe për shkak të korrupsionit, nepotizmit, mungesës së besimit në institucione dhe pasigurisë për zhvillimin profesional.

Ekspertët paralajmërojnë se nëse këto tendenca vazhdojnë, rajoni do të përballet me më pak punonjës dhe taksapagues, më shumë pensionistë dhe presion më të madh mbi sistemet sociale.

Raporti thekson se vetëm bonuset për lindje nuk janë të mjaftueshme. Për të frenuar largimin e popullsisë nevojiten vende të qëndrueshme pune, strehim më i përballueshëm, çerdhe, arsim cilësor dhe institucione më të besueshme.

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing