Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Kosova mund të kishte përfituar deri në 432 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, nëse reformat e parapara do të ishin zbatuar me kohë.
Sipas Besar Gërgit, hulumtues në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, nga shtatë semestrat e planit deri tani kanë përfunduar katër, ndërsa për disa reforma ka kaluar edhe afati shtesë.
Në shkurt të vitit 2026, Kosova ratifikoi marrëveshjen për Planin e Rritjes, përmes së cilës iu ndanë 880 milionë euro. Deri tani, vendi ka përfituar vetëm mbi 61 milionë euro në formë të parafinancimit, që përbën rreth 7 për qind të shumës së përgjithshme.
Gërgi ka paralajmëruar se fondet që nuk shfrytëzohen nga vendet që nuk i përmbushin reformat mund të rishpërndahen te vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Për Kosovën, afati për rreth 100 milionë euro përfundon në fund të këtij viti, ndërsa rreth 40 milionë euro tashmë konsiderohen të humbura.
Shuma përfundimtare e mjeteve që Kosova rrezikon t’i humbë pritet të bëhet më e qartë pas publikimit të raportit të Komisionit Evropian në tetor.
Përveç humbjeve financiare, ngërçi institucional ka ndikuar edhe në proceset integruese dhe diplomacinë e Kosovës. Profesoresha universitare Viona Rashica ka thënë se vendi ka humbur dinamikë në raport me UNESCO-n, Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
Që nga janari i vitit 2025, Kosova ka pasur qeveri dhe kuvend funksional vetëm për rreth tre muaj. Institucionet nuk janë konstituuar as pas zgjedhjeve të 7 qershorit, ndërsa vendi po përballet me mundësinë e zgjedhjeve të reja.