Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Norma maksimale efektive vjetore e interesit për kreditë konsumatore në Shqipëri pritet të përcaktohet edhe me ligj, përmes projektligjit “Për mbrojtjen e konsumatorit”.
Sipas projektligjit, kufiri maksimal i interesit do të përcaktohet përmes një udhëzimi të përbashkët të Bankës së Shqipërisë dhe ministrisë përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorit.
Norma efektive e interesit përfshin jo vetëm interesin e kredisë, por edhe tarifat, komisionet dhe kostot e tjera që lidhen me të. Çdo kusht kontraktual që tejkalon kufirin e lejuar do të jetë i pavlefshëm.
Kjo masë synon të mbrojë konsumatorët nga normat e tepruara të interesit dhe praktikat abuzive të huadhënies, veçanërisht nga disa institucione financiare jobanka.
Në Shqipëri, kufizimi i normës maksimale të interesit për kreditë konsumatore zbatohet që nga fillimi i vitit 2022. Banka e Shqipërisë e llogarit dhe e publikon këtë normë çdo gjashtë muaj, bazuar në të dhënat e Regjistrit të Kredive.
Projektligji parasheh gjithashtu rregullimin e kredive konsumatore dhe hipotekare nga Banka e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Ndërkaq, rregullat aktuale kufizojnë penalitetet dhe kamatëvonesat në 30 për qind të detyrimit kontraktual, me qëllim parandalimin e rritjes së pakontrolluar të borxheve të papaguara.