Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Baleti teston dhe hap dyert për talente të reja

Film  |  14.04.2023 Ora 10:30   

E kanë nisur baletin fillimisht si pasion, më pas është shndërruar në hobi, por në rrugëtim e sipër i ka mbërthyer ëndrra për të arritur majat. E Baleti Kombëtar i Kosovës është adresa e saktë për këtë dhe ky institucion – edhe në mungesë të një shkolle baleti kaherë të premtuar – i ka hapur dyert për një gjeneratë të re. Të mërkurën ka qenë dita e parë e ushtrimeve nën mentorimin e dyshes së BKK-së, Jeta Musolli e Fatmir Smani. Plot gjallëri ka qenë pasditja në sallën e ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, ku institucioni më i lartë i baletit në Kosovë mban ushtrimet prej verës së kaluar pas mbylljes së objektit të Teatrit Kombëtar të Kosovës për rinovim. Deri të martën, për një javë, ka qenë e hapur thirrja për klasa falas për nxënës prej 14 deri në 18 vjeç. Jo më shumë se dhjetë veta kanë aplikuar që t’u bashkohen klasave me të cilat BKK-ja synon edhe të “rekrutojë” balerinë për një gjeneratë të re. Mbi të gjitha, ta mësojnë baletin me themel, me balerinët Smani e Musolli, që të dy me përvojë prej dy dekadash. Mjeshtëria e tyre është parë qysh në orët e para të klasave. Disiplina është numër një. Kanë nisur me lëvizjet bazike. Jo shpesh dëgjoheshin “bravot” gjatë ushtrimeve, por për të mbërri tek të tilla komplimente në fund të ditës, Musolli e Smani kanë kritikuar e dirigjuar. Treshja e nxënëseve që ka nisur ushtrimet është “shpërblyer” me motivim. “Mos u dorëzo shpejt” e “kërko më shumë nga vetja”, kanë qenë kërkesat e dyshes që janë ngjitur qindra herë në skenën vendore e jashtë.

“Së bashku me Jetën e kemi menduar që të nisim me ushtrime më bazike dhe kështu të kuptojmë nivelin e secilit prej tyre. Pastaj pse jo t’i avancojmë ushtrimet dhe për këto dy javë t’i përmirësojmë sa më shumë që të mundemi në teknikë dhe në të gjitha aspektet e tjera”, ka thënë Fatmir Smani, balerini i cili do të jetë mentor për këto dy javë. Njëri prej balerinëve të gjeneratës së parë të pasluftës të asaj që dikur njihej si Trupa e Baletit e Kosovës, ka thënë se është i sigurt për potencialin sa i përket baletit. Kjo i ka shtyrë ata që të angazhohen dhe përtej punës me veten të punojnë edhe me të tjerët që e duan baletin.

“Qëllimi i kësaj iniciative është shumë i rëndësishëm. Kjo duke e parë edhe interesimin e sasinë e madhe dhe numrin e madh të fëmijëve që janë të interesuar për balet. Të gjithë baletin e marrin si hobi dhe ndjekin kurse. Por, kur të vijë puna që të bëhen profesionistë e lënë aty dhe dorëzohen. Po shpresoj që ky të jetë vetëm fillimi dhe të vazhdojmë edhe me shumë klasa të tjera dhe pse jo të mbërrijmë edhe në formimin e shkollës së baletit duke e pasur parasysh që është në mungesë shkolla e ulët e baletit”, ka thënë Smani. Ka treguar se ndonëse shumë nga ata që janë interesuar të ndjekin klasat veçse janë pjesë e kurseve të baletit ose kanë një lidhje me të, ideja që këto klasa janë nisma e një shkolle i shtynë për më shumë seriozitet në punë.

 

“E mira e kësaj është që kur fëmijët shkojnë në shkollë e marrin më seriozisht. Nuk është më që vetëm e ‘kam hobi’ dhe ‘po shkoj në kurs’. Vetë fjala shkollë ose po shkoj në shkollë, bën që edhe kurrikula të ndryshojë. Fillojnë hapat duke u avancuar shumë dhe nuk është më vetëm ‘të shkoj të bëj zgjatje dhe të kthehet në shtëpi’. Shpresoj shumë që në të ardhmen të vetëdijesohen edhe prindërit dhe me hapjen e shkollës t’u tregojmë se baleti është një profesion shumë i mirë dhe ne kemi shumë nevojë për gjenerata të reja”, ka thënë ai.

 

Tash e një kohë të gjatë pjesë të jetës e ka baletin edhe Ersa Sopa, e cila qysh nga dita e parë nisi përcjelljen e mësimit të iniciuar nga Baleti Kombëtar, e synon ta vazhdojë deri në fund. Madje synimi i saj është që të bëhet pjesë e BBK-së e të vazhdojë karrierën.

Ushtrimet e ditës së parë dhe iniciativën për klasa falas i ka parë të rëndësisë të veçantë për të dhe bashkëmoshatarët e saj. Përballja me balerinët profesionistë dukej se e ka motivuar për të sfiduar veten.

“Mendoj që kjo që e kanë bërë është një gjë shumë e mirë. Diçka e tillë i duhet shtetit tonë ngase baleti nuk është shumë i zhvilluar këtu. Prandaj mendoj se është një ide shumë e mirë. Mendoj që është shumë e rëndësishme të mbahen kurse ekstra përveç ushtrimeve në shkollë. Kjo edhe për fëmijët që nuk e kanë vazhduar shkollën e baletit dhe kanë dëshirë që të bëhen balerinë, është një synim dhe një mundësi shumë e mirë që të vazhdojnë”, ka thënë Sopa. Ka treguar që takimi me balerinët nuk është i pari, por serioziteti me të cilin e trajtojnë këtë gjini artistike ka bërë që ata t’i ndjekë në secilën mundësi. Sfidat e të qenit balerinë i ka të njohura, por ngulmon ta vazhdojë këtë rrugë.

“Fillimisht kam punuar me Fatmir Smanin dhe Fisnik Smanin. Qysh atëherë e kam dashur shumë baletin dhe vazhdoj ta dua edhe sot normalisht dhe dita e ditës ende më shumë. Ka më shumë vështirësi, por si fillim e kam nisur mirë. Kam menduar që është më lehtë, por e kam parë që jo çdokush mundet me vazhdu”, ka thënë ajo.

Të qenit nën drejtimin e të rinjve që duan ta mësojnë baletin Fatmir Smanin e ka kthyer rreth 20 vjet prapa. Gjatë ushtrimeve të para me balerinët e rinj ka kujtuar veten në hapat e parë.

“Përpara ka qenë një disiplinë shumë e madhe. Unë e kam përfunduar shkollën e baletit në Prizren dhe e mbaj në mend si fëmijë ka qenë një disiplinë e jashtëzakonshme. Tash po e vërej që rinia sot është më e hutuar dhe e ka mendjen më shumë te teknologjia. Kjo duhet të ndryshojë, sepse baleti kërkon shumë disiplinë, është profesion jashtëzakonisht i vështirë dhe po nuk pate disiplinë, nuk ka as progres”, ka thënë Smani.

Një nismë e tillë për rritjen e kapacitetit të vendit në aspektin e baletit, balerinët zotohen se tash e tutje do ta bëjnë traditë. Kjo iniciativë nuk do të jetë e fundit dhe se do të punojnë me gjeneratat e reja derisa të themelohet shkolla e baletit. Kërkesa për të ka mbi një dekadë, përderisa para rreth shtatë vjetësh zyrtarët shtetërorë kishin dhënë premtime për hapa konkretë në përmbushje të kërkesës së zëshme për themelimin e saj. Ka qenë ish-drejtori i BKK-së, tashmë i ndjeri Ahmet Brahimaj, i cili zëshëm kishte kërkuar themelimin e shkollës së baletit.

“Po besoj që do të vazhdojmë dhe po shpresoj që edhe kolegët do të ndërrohen që të japin mësim. Kështu që secili nga ne do të kemi mundësi që të ndajmë ato eksperiencat tona. Unë merrem qe 20 vjet me balet edhe do të mundohem që sa më shumë t’i përmirësoj në çdo aspekt dhe t’u jap vullnet që të vazhdojnë tutje”, ka thënë balerini që bashkë me Musollin janë të parët që e nisën konkretizimin e klasave falas të baletit.

Image

 

Komentet

Marketing

 

Tjera në Film

Marketing