Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

“Siparantum” në Berlin midis 9 koreve evropiane promovon veprat vendore

Kulturë  |  18.04.2023 Ora 10:44   
Formacioni koral nga Peja të hënën mbrëma është kthyer nga Berlini. Kësaj radhe atje, pos punëtorive, diskutimeve e performancave janë kthyer edhe në ambientin prestigjioz të Filharmonisë së Berlinit. Atje kanë shpalosur një pjesë të krijimtarisë shqiptare sa i përket muzikës korale. Njëkohësisht kanë dëshmuar edhe profesionalizëm si kor që vjen prej një qyteti të vogël në Kontinentin Evropian


Pjesëmarrjet e korit “Siparantum” nëpër organizime ndërkombëtare e bashkëpunimet me institucione prestigjioze kanë nisur të shndërrohen në diçka të zakontë. Formacioni koral nga Peja të hënën mbrëma është kthyer nga Berlini. Kësaj radhe atje, pos punëtorive, diskutimeve e performancave, janë kthyer edhe në ambientin prestigjioz të Filharmonisë së Berlinit. Kanë shpalosur një pjesë të krijimtarisë shqiptare sa i përket muzikës korale. Njëkohësisht kanë dëshmuar edhe profesionalizëm si kor që vjen prej një qyteti të vogël në Kontinentin Evropian.


Projekti “Walking in beauty” ka mbledhur disa kore me emër në Berlin. Festivali që organizohet nga platforma “Choral Space” ka mbledhur 9 kore nga vende të ndryshme, ku prej 12 deri më 16 prill përtej interpretimeve janë shkëmbyer edhe përvoja.


“Siparantum”, që udhëhiqet nga dirigjenti e kompozitori Memli Kelmendi, ka marrë pjesë në tri koncerte. Në ditën e 12-të të këtij muaji në kuadër të koreve të tjera është prezantuar edhe “Siparantum”. Vepra “Pax” e Memli Kelmendit, i cili ka dirigjuar performancën, dhe “Fire” e Katerina Gimon janë dhënë në ambientet e qendrës “Kulturforum”.


E me datën 13 formacioni që kësaj radhe ishte atje me 20 veta, pos “Pax” ka interpretuar edhe “Mirëmbrëma” të Lorenc Antonit, “Xhike Loke” të Rafet Rudit dhe “Fire” të Katerina Gimon. Themeluesi e dirigjenti i “Siparantum”, Memli Kelmendi, ka thënë se në këtë koncert kanë prezantuar muzikën shqiptare në kuadër të programit bashkë me një kor të Lituanisë dhe një tjetër të Gjermanisë. Bëhet fjalë për “Mixed Choir Sonoros” dhe “Hugo-Distler-Chor Berlin”.


“Në kuadër të këtij projekti ‘Siparantum’ ka punuar direkt me Ēriks Ešenvalds dhe kemi pasur mundësi të punojmë nga afër me të dhe të mbajmë punëtori. Jemi shumë të lumtur me atë që kemi marrë prej tij”, ka thënë Kelmendi. Latviani Ešenvalds është prej dirigjentëve dhe kompozitorëve me nam gjithandej sidomos sa i përket punës me kore. Ai ka qenë në rezidencë në kuadër të Festivalit në mënyrë që përvoja e tij t’u shërbejë koreve pjesëmarrëse. Kelmendi ka treguar se gjatë punëtorive kanë punuar me veprat e Ešenvalds si “My song”, “Only in sleep”, “Rivers of light” dhe disa të tjera.


Ēriks Ešenvalds pas punëtorive dhe koncerteve ka thënë se “Siparantum” interpreton me shumë pasion të madh.

“Kur ju dëgjoj juve si kor dhe shikoj dirigjentin tuaj, mund të them se teknikisht bëhet fjalë për një kënaqësi gati të 100-përqindtë sa i përket komunikimit që keni”, u ka thënë ai anëtarëve të Korit. Ka thënë se ka vërejtur se performuesit e kanë të studiuar mirë materialin me të cilin punojnë. “Ana emocionale zë vend shumë të mirë në interpretime. Qëndroni kështu si jeni. Për çdo vepër mbani qëndrimin që keni”, u është drejtuar Ēriks Ešenvalds.
 

thënë të ketë vërejtur se gjatë ushtrimeve dirigjenti Kelmendi jep sqarimet e nevojshme dhe Kori i merr ato pa pasur nevojë që gjatë koncertit të ketë paqartësi. “Është tejet e bukur të shohësh se para koncertit dirigjenti veç jua bën me dije si do të veprohet dhe nuk ka nevojë t’i përsëritë shumë gjërat”, ka thënë Ešenvalds.
 

Të dielën koret janë bashkuar në sallën e Filharmonisë së Berlinit dhe paraprakisht para koncertit të madh kanë punuar me Ēriks Ešenvalds, duke pasur mundësi që të kenë edhe performanca solo në skenë.
 

“Për të vazhduar më pas me veprat e korit tonë ‘The Rose” të Ola Gjeilo dhe ‘Fire’ të Katerina Gimon”, ka treguar Memli Kelmendi. “Fire” është dirigjuar nga vetë Kelmendi.
 

Më pas janë bërë bashkë në skenë 350 këngëtarë të 9 koreve dhe nën dirigjimin e Ešenvalds kanë interpretuar veprat e tij si “Rivers of Light”, “She Walks in Beauty”, “My Song”, “Salutation”, “O Salutaris Hostia”, “The Heavens Flock” dhe “Only in Sleep”.
 

Dirigjenti Memli Kelmendi ka thënë se “Siparantum” është vlerësuar shumë nga kritikët. Ka treguar se iu ka ngelur merak që shkaku i buxhetit nuk kanë pasur mundësi të paraqiten me krejt formacionin. Kori kësaj radhe është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Komuna e Pejës dhe nga kompania “Alba Qeramika”.
 

“Ne kemi nevojë që të ballafaqohemi me skena të tilla, pasi na mundësojnë të promovojmë kulturën dhe vendin tonë, por edhe na ndihmojnë të shohim ku jemi. Është një eksperiencë ku koristët marrin përvoja të reja e takohen me kore të niveleve duke na dhënë mundësinë të orientohemi edhe në aspektin profesional”, ka thënë Memli Kelmendi. Sipas tij, duke marrë parasysh rrethanat dhe izolimin që përjeton shoqëria kosovare, sidomos artistët kanë nevojë të shkëmbejnë përvoja.
 

“Solistëve tanë Kaltrina Miftari, Fiona Shabani, Agron Shujaku, Shaban Behramaj e të tjerëve iu jepet mundësia që të dëshmojnë kualitetin e tyre në arena ndërkombëtare”, ka thënë ai.
 

“Siparantum” është kthyer në sallën e Filharmonisë së Berlinit pas një viti. Në sallën me formë pesëkëndëshe që pret orkestra e kore me nam, “Siparantum” në mars të vitit të kaluar kishte vendosur në fokus vepra të kompozitorëve vendës. “Siparantum” duke qenë i pari kor shqiptar që ka arritur të interpretojë në këtë skenë nuk kishte dashur të humbiste shansin që të shpaloste vepra muzikore të kompozitorëve kosovarë. Ky ishte qëllimi i koncertit, i cili është vlerësuar si vështrim brenda muzikës së Gjermanisë, Hungarisë dhe Kosovës. Programi ku kanë qenë të përfshira tri vepra kosovare ishte vlerësuar si program me plot ngjyra e kontraste.

 

Komentet

Marketing

 

Tjera në Kulturë

Marketing