Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Telekomi nis negocimin e kontratave për të ulur qiranë mujore që tash është 7 mln €

Vendi  |  03.05.2023 Ora 8:20   

Rreth 400 mijë euro është qiraja mujore që paguan Telekomi i Kosovës për shfrytëzim të objekteve dhe depove në të cilat operon.

Pjesa më e madhe e këtyre objekteve janë të Postës së Kosovës, për të cilat çdo muaj Telekomi paguan afro 334 mijë euro.

Por kjo ndërmarrje është në fazë të negocimit për kontrata të reja, meqë një pjesë e të deritashmeve kanë skaduar.

“Aktualisht është e skaduar edhe kontrata e qirasë me Posten e Kosovës për objekte me qira dhe aktualisht jemi në fazën e negocimit të sasisë së hapësirave dhe çmimit të qirasë”, thuhet në përgjigjen e Telekomit.

Të shtunën, KOHA raportoi se kontrata për lokalin në sheshin “Nënë Tereza” dhe ajo te kompleksi “Qafa” kanë skaduar dhe se Telekomi është zhvendosur në objekte të tjera për shkak të qirasë më të lirë.

Vetëm për këto dy objekte ajo do të kursejë rreth 30 mijë euro në muaj.

“Telekomi prej vitit 2020 në vazhdimësi ka ulur shpenzimet e qirasë. Largimi nga dy objektet e cekura me lart në vitin 2023 dhe negocimi i hapësirave e i çmimit të qirave me Posten do të ndikojë që trendi i uljes së shpenzimeve të përgjithshme të qirave të vazhdojë edhe në vitin 2023”, thuhet në përgjigje.

Pos objekteve, Telekomi i Kosovës ka 435 kontrata aktive për qiranë e vendosjes së antenave. Për to, ajo paguan rreth 170 mijë euro në muaj.

Nga Telekomi përfitime ka edhe ndërmarrja “Infrakos”, për shkak të qirasë që merr për vendosje të kabllove dhe pajisjeve të tjera nëpërmjet infrastrukturës së hekurudhës. Afro 25 mijë euro shkojnë në llogaritë e “Infrakosit” secilin muaj.

Po ashtu, 4 kontrata janë aktive për qiratë e vendparkingjeve, për të cilat Telekomi paguan 1 mijë e 844 euro në muaj.

Megjithatë, në këtë ndërmarrje thonë se ka rënie të shpenzimeve për qira. Nga afro 7 milionë e 838 sa ishin shpenzuar në vitin 2019, ato kanë rënë për afro 1 milion euro në vitin 2022.

Vetëm për lokalim në sheshin e Prishtinës, Telekomi ka shpenzuar rreth 3 milionë euro që nga viti 2015.

Kontrata ka skaduar muajin e kaluar dhe nuk është vazhduar tutje.

Bazuar në të dhënat e siguruara nga KOHA, kontrata e parë ishte nënshkruar në maj të vitit 2015 me kohëzgjatje prej 5 vjetësh.

Vetëm 6 muaj më vonë, asaj i është shtuar një aneks, ku është përfshirë nënkulmi. Me këtë u rrit qiraja, ndërkohë u shtua edhe kohëzgjatja për tri vjet.

KOHA më 2018 pati raportuar se Telekomi e pati paguar paraprakisht “Savinja Skupina Kosovo”, kompani kjo, që bazuar në të dhënat e ARBK-së, është pronë e Ganimete Sadikajt.

Pas marrjes së objekteve me qira u raportua për lidhjen e dyshimtë të pronarëve me njerëz të politikës. Për të njëjtin objekt pati përplasje midis Sami Lushtakut të PDK-së e Taip Sadikajt me ish-gjyqtarin Sami Gërdovci.

Dy nëpunës të Gjykatës Themelore të Prishtinës asokohe kishin për detyrë të ekzekutonin vendimin e këtij institucioni që i njihte Bratisllav Millenkoviqin e Jovica Simiqin për pronarë të objektit, për çka ekziston edhe një aktgjykimin i datës 26 tetor 2007.

Bazuar në këtë aktgjykim, gjykata konkludoi se ekzistojnë dëshmi bindëse se Lushtaku e Sadikaj përdorën kërcënime serioze për të detyruar personat zyrtarë që të mos e ekzekutojnë vendimin gjyqësor.

Lushtaku është dënuar me burgim prej katër muajsh me kusht për këtë rast, ndërsa Sadikajt i është shqiptuar vërejtje gjyqësore.

Pronarja aktuale e këtij lokali, Ganimete Sadikaj, e kishte parashtruar në komunë kërkesën për renovim të objektit bashkë me Taip Sadikajn, i cili së bashku me Sami Lushtakun kishin penguar zbatimin e vendimit gjyqësor për këtë lokal.

Burime të KOHËS kanë bërë të ditur se kompania tashmë është mbyllur dhe lokali është shitur.

Ndërkohë, Telekomi ka marrë një objekt tjetër me qira në sheshin “Zahir Pajaziti”, për të cilin do të paguajë më pak qira se sa që paguante për atë në sheshin “Nëna Terezë”.

Kjo ndërmarre tashmë është gati për t’u zhvendosur edhe tek objekti tjetër te Qafa.

Burime të KOHËS thonë se nga qiraja mujore për këto dy objekte Telekomi do të kursejë rreth 30 mijë euro.

KOHA pati raportuar në maj të vitit 2021 se bordi i ri i emëruar në atë kohë, po shqyrton të gjitha kontratat për qira.

“Ka kontrata që bordi ka kërkuar sqarime, ka kontrata në raport me qiranë, sidomos ato që janë me interes strategjik për ndërmarrjen, siç është objekti në shesh dhe ai te ‘Qafa’, menaxhmenti ka dhënë sqarime dhe në momentin që janë dhënë sqarimet dhe janë bërë matjet, ka dalë që vlera për metra katrorë është diku 7 euro për metër katror dhe që është nëse flasim për metra katrorë në qendër të Prishtinës, ky është një çmim ideal me atë që merr Telekomi”, ishte thënë në një përgjigje nga Telekomi.

E nga Ministria e Ekonomisë kanë thënë se pas emërimit të bordit, ai ka për detyrë edhe shqyrtimin e kontratave apo marrëveshjeve të cilat ndikojnë në afarizëm. Sipas zyrtarëve të ministrisë, Njësia për Monitorim të Ndërmarrjeve do të monitorojë për së afërmi punën e Bordit në ruajtjen e aseteve të Telekomit dhe në mbrojtjen e interesit publik.

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing